Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj i cili dyshohet për shpëlarje të parave në Slloveni ka dalë me një reagim publik rreth hulumtimeve të njëpasnjëshme të Gazetës Insajderi.
Përmes një statusi në Facebook, Berishaj deklaroi se kompania Zaslon L.C.C. dhe Myloja sh.p.k nuk janë në pronësinë e tij.
Kjo rezulton gënjeshtrat e parë e ambasadorit Berisha në statusin e tij.
Gazeta Insajderi kishte raportuar se Martin Berishaj, në Kosovë ka të regjistruar së paku dy biznese, që për aktivitet kanë ndërmjetësimin.
Bëhet fjalë pikërisht për dy kompanitë që i njëjti mohon të ketë në pronësi të tij.
Martin Berishaj, ka të regjistruar në Kosovë firmën “Myloja L.L.C”, me adresë në Hajvali, të Prishtinës. Kjo vërtetohet lehtë nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë.
“Ndërmjetësimet e tjera monetare”, është aktiviteti kryesor i firmës “Myloja L.L.C”, pronë e Martin Berishaj.
Për ortak në këtë firmë me nga 33 përqind të aksioneve ai ka edhe Janez Bukovnikun e Anton Eerne. Firma është e regjistruar në vitin 2008.
Po në Hajvali është e regjistruar edhe firma tjetër “Zaslon Kosova L.L.C”, ku 15 përqind të aksioneve i ka Martin Berishaj.
Edhe ajo është regjistruar në vitin 2008 dhe si aktivitet i listuar aty përsëri është ‘ndërmjetësimi”. Në këtë firmë Berishaj ka për ortak Benjamin Erazem Pintar.
Në dhjetor të vitit 2021 u zyrtarizua emërimi i tij ambasador i Kosovës në Kroaci. Një CV e karrierës dhe angazhimeve të tij nuk është publike në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Pikërisht për fshehjen e këtyre dy bizneseve ndaj ambasadorit Martin Berishaj kishte nisur një hetim nga Prokuroria e Shtetit.
Në gusht të vitit të kaluar, Prokuroria e Shtetit kishte konfimruar se ka pranuar kallëzim penal kundër ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, nga Agjencioni Kundër Korrupsionit, tash Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.
“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, ka pranuar nga Agjencioni Kundër Korrupsionit kallëzim penal kundër personit me inicialet M.B. Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, kallëzimin penal e ka dërguar në kompetencë në Prokurori Themelore në Prishtinë”, thuhej në përgjigjen e Prokurorisë për Gazetën Insajderi.
Kallëzimi penal kundër Berishajt kishte ardhur tre muaj pas raportimit të Gazetës Insajderi se ambasadori kosovar në Kroaci ka fshehur së paku dy biznese.
Pas pyetjeve të Insajderit, më 26 prill të këtij viti, Agjencia kudër Korrupsion i kishte konfirmuar Gazetës Insajderi se kishte nisur një hetim për zyrtarin e lartë, ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
“Agjencia kundër Korrupsionit konfirmon që ka pranuar këtë informatë në fund të javës së kaluar dhe e njëjta do të trajtohet sipas ligjit dhe brenda afateve ligjore. Rrjedhimisht, AKK ka inicuar procedurat për verifikim të pasurisë së deklaruar nga z. Berishaj. Verifikimi administrativ (sipas nevojës edhe hetimi administrativ) që kryhet nga AKK bëhet në formë të pavarur”, kishte thënë në atë kohë për Gazetën Insajderin, Yll Buleshkaj, tash drejtor i APK-së.