×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Hetimi i ngadaltë i Antikorrupsioni kundër ambasadorit Martin Berishaj, i përfshirë në skandalin 600 mijë euro nga GEN-Beograd

    Insajderi
    27 June 2022 - 14:41
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Agjencia Kundër Korrupsion ka dy muaj që ka konfirmuar për Insajderin se ka nisur një hetim kundër ambasadorit kosovar në Kroaci, Martin Berishaj. As pas dy muajsh, ata nuk kanë ardhur te një rezultat. Përgjigja: Hetimet vazhdojnë.

    Insajderi

    Më 26 prill të këtij viti, Agjencia Kudnër Korrupsion i kishte konfirmuar Insajderit se kishte nisur një hetim për zyrtarin e lartë, ambasador i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

    “Agjencia kundër Korrupsionit konfirmon që ka pranuar këtë informatë në fund të  javës së kaluar dhe e njejta do të trajtohet sipas ligjit dhe brenda afateve ligjore. Rrjedhimisht, AKK ka inicuar procedurat për verifikim të pasurisë së deklaruar nga z. Berishaj. Verifikimi administrativ (sipas nevojës edhe hetimi administrativ) që kryhet nga AKK bëhet në formë të pavarur”, kishte thënë në atë kohë për Insajderin, Yll Buleshkaj, drejtor i AKK-së.

    Dy muaj më vonë, Insajderi është interesuar përsëri që të dij se deri ku kanë shkuar hetimet e këtij institucioni për ambasadorin Berishaj, i përfshirë në skandalin prej 600 mijë eurosh nga GEN- Beograd.

    AKK: Hetimet vazhdojnë…

    Hetimet vazhdojnë, është pak a shumë përgjigja që Antikorrupsioni i ka kthyer Insajderit edhe pas dy muajsh hetime.

    “Ashtu siç ju kemi njoftuar edhe më parë, Agjencia kundër Korrupsionit ka iniciuar procedurat  e trajtimit të rastit në fjalë. Bazuar në procedurat ligjore të trajtimit të rastit nga AKK, afateve të dhëna nga legjislacioni në  fuqi, tani për tani mund të konfirmojmë vetëm që AKK është duke e trajtuar këtë rast në përputhje me fushë veprimtarinë e saj ligjore, për të vërtetuar nëse njëjti ka ndonjë element ti cili duhet të verifikohet/trajtohet/hetohet nga AKK, dhe pas  mbledhjes dhe sigurimit të informatave dhe dëshmive të  siguruara, AKK do të ndërmarrë veprime konform ligjit”, thuhet në përgjigjen e AKK-së për Insajderin dërguar në fund të qershorit 2022.

    Agjencia në fjalë, thotë se “në asnjë rast nuk paragjykon rezultatin e hetimeve para se të kryhen të gjitha hetimet sipas legjislacionit në fuqi.  Zhvillimi i hetimeve dhe kontrollit të pasurisë realizohet pa paragjykime etnike, gjinore, gjuhësore, fetare dhe të tjera të subjekteve deklaruese”.

    Bizneset që nuk i deklaroi Martin Berishaj

    Ky hetim kishte nisur pasi që Insajderi publikoi artikullin “Bizneset e ndërmjetësimit të Martin Berishajt në Kosovë që nuk iu përmendën nga Qeveria kur u bë Ambasador”.

    Insajderi raportoi se Martin Berishaj, ka të regjistruar edhe në Kosovë një firmë për ndërmjetësim.

    “Ndërmjetësimet e tjera monetare”, është aktiviteti kryesor i firmës “Myloja L.L.C”, pronë e Martin Berishaj. Për ortak në këtë firmë me nga 33 përqind të aksioneve ai ka edhe Janez Bukovnikun  e Anton Eerne. Firma është e regjistruar në vitin 2008 dhe adresën e ka në fshatin Hajvali të Prishtinës.

    Po në Hajvali është e regjistruar edhe firma tjetër “Zaslon Kosova L.L.C”, ku 15 përqind të aksioneve i ka Martin Berishaj.

    Edhe ajo është regjistruar në vitin 2008 dhe si aktivitet i listuar aty përsëri është ‘ndërmjetësimi”. Në këtë firmë Berishaj ka për ortak Benjamin Erazem Pintar.

    Në dhjetor të vitit 2021 u zyrtarizua emërimi i tij ambasador i Kosovës në Kroaci.  Një CV e karrierës dhe angazhimeve të tij nuk është publike në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

    Në publik atij pas zgjedhjes i janë përshkruar shkollimi e angazhimet e tjera, por jo edhe bizneset. As bizneset që i ka të regjistruara në Kosovë, dhe as biznesi që iu përmend nga mediat sllovene. “MB Consulting” në Mal të Zi.

    Lidhja me GEN-Beograd

    Afro tre muaj më parë televizioni slloven, Planet TV, raportoi se rreth 600 mijë euro para cash janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni nga ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. Ky i fundit thuhet se ka pasur rolin e “mushkës” apo transportuesit të parave.

    Në xhirollogarinë e MB Consulting, kompani në pronësi të Berishajt e regjistruar në Mal të Zi, nga GEN-i serb janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro për çdo muaj, përcjell Demokracia.com.

    Ky televizion kishte raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.

    Pagesat ishin kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompania GEN ka marrëveshje për këshillime.

    Lidhur me rastin kishte reaguar edhe ambasadori Berishaj, i cili kishte paralajmëruar padi ndaj këtij mediumi, por nuk ka mohuar dhe as pohuar që kompania në fjalë është e tij.

    Bllokimi i xhirollogarive të kompanisë së ambasadorit Berishaj

    Insajderi po ashtu kishte raportuar që se  firmës “MB Consulting” te Martin Berishajt, ambasadorit kosovar në Kroaci që është përfshire ne skandalin 600 mije eurosh te parave nga GEN-I Beograd, i janë bllokuar xhirollogaritë.

    Vendimi ishte marre ne shtator te vitit te kaluar. Arsye e këtij veprimi nga shteti ishte që firma ka borxh tatimor.

    Mbi 31 mije euro është shuma e borxhit nga mos pagesa e tatimit ne fitim nga firma e Berishajt. Kjo shumë e llogaritur e borxhit të tatimit në fitim tregon se Berishaj ka pasur fitime prej qindra mijë eurove brenda një viti nga afarizmi në Mal të Zi./ Gazeta Insajderi.

    Lexo të gjitha publikimet e Insajderit për Martin Berishajn:

    https://insajderi.org/?s=martin+berishaj

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark