E ardhmja e Cristiano Ronaldos vazhdon të jetë ende e përfolur, teksa ai nuk ka dhënë ende ndonjë njoftim zyrtar.
Deri më tani dihet se sulmuesi portugez ka shprehur dëshirën për t’u larguar nga Manchester United, pasi kaloi vetëm një sezon në “Old Trafford” pas rikthimit atje.
Ronaldo ende nuk ka filluar as stërvitjet me “Djajtë e Kuq”, duke rritur kështu edhe më shumë zërat për largimin e tij.
37-vjeçari së fundi është lidhur ngushtë me një kalim te Atletico Madridi.
Ish-sulmuesi i Real Madridit e Juventusit thuhet se është i impresionuar me ambicien e trajnerit, Diego Simeone, për ta transferuar në “Wanda Metropolitano”.
Zërat për kalimin e Ronaldos te Atletico Madridi i ka shtuar edhe më shumë e dashura e tij, Georgina Rodriguez.
Mediat spanjolle kanë zbuluar se ajo ka filluar të ndjekë gruan e Simeones, Carla Pereyra, në rrjetin social “Instagram”.
Ky veprim nga ana e Georginas ka mjaftuar që të rriten edhe më shumë spekulimet mbi të ardhmen e pesë herë fituesit të “Topit të Artë”.