Insajderi
Lajme

Gërvalla e sqaron deklaratën se Arlinda Zekaj “nuk iu adresua Qeverisë”

Insajderi
30 October 2026 - 10:12
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Gërvalla e sqaron deklaratën se Arlinda Zekaj “nuk iu adresua Qeverisë”
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, u ka kërkuar përfaqësuesve të politikës dhe mediave që t’i dëgjojnë me kujdes deklaratat e saj para se t’i përsërisin, duke pretenduar se po kontribuojnë në një propagandë që, sipas saj, po përsëritet vazhdimisht.

Duke sqaruar reagimin e saj ndaj deklaratës së deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, Gërvalla ka thënë se Arlinda Zekaj nuk i ishte drejtuar Qeverisë, por Prokurorisë.

Sipas saj, nga informacionet që kishin deri në atë moment, Arlinda Zekaj i ishte drejtuar me një letër personale kryeprokurores, e cila tashmë është suspenduar.

“Ju lus shumë që mos ta trajtojmë si arrogancë, por vërtet është e rëndësishme që edhe ne që jemi në krahun politik, edhe në krahun medial, t’i dëgjoni me kujdes deklaratat para se t’i përsërisni në mënyrë të vazhdueshme. Vërtet është shumë e rëndësishme, sepse me apo pa dashje po i kontribuojmë një farë propagande që në vazhdimësi po përsëritet”, ka deklaruar Gërvalla, raporton Ekonomia Online.

Ajo ka sqaruar se reagimi i saj kishte ardhur pas deklaratës së Kadrijajt, e cila kishte thënë se Arlinda Zekaj i ishte drejtuar Qeverisë, por kjo e fundit nuk kishte ndërmarrë asgjë.

Gërvalla ka thënë se Ministria e Drejtësisë pranon çdo ditë ankesa nga qytetarët që kërkojnë ndihmë, por ka theksuar se ministria nuk ka kompetenca për të ndërhyrë në vendimmarrjen e gjyqtarëve.

Ajo ka përmendur edhe takimet e rregullta me qytetarë në kabinetin e saj, përmes të cilave, sipas saj, synojnë t’i dëgjojnë dhe orientojnë qytetarët drejt institucioneve përkatëse.

Ministrja ka thënë se nuk ka kërkuar që qytetarët të mos u drejtohen organeve të drejtësisë, por i ka ftuar që të kërkojnë edhe mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë kur ndihen se nuk po dëgjohen nga institucionet.

“Thirrja ime është që unë e ndjej si obligim si ministre e Drejtësisë dhe si koordinatore për çështje të dhunës në familje, që nëse institucionet e drejtësisë keni ndjenjën që nuk po ju dëgjojnë, nuk po i adresojnë temat tuaja, ejani ulemi bashkë, se ndoshta së bashku gjejmë një mundësi pak më të shpejtë për të adresuar dhe orientuar shqetësimin e secilës nga palët që meritojnë mbrojtje”, ka thënë Gërvalla.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark