Pas dështimit të seancës së sotme në Kuvendin e Kosovës, skena politike u përfshi nga akuza dhe kundërakuza mes deputetëve. Deputetja e Guxo, Donika Gërvalla, akuzoi disa kolegë nga LDK-ja se, sipas saj, janë bashkuar me Listën Serbe për të votuar për kryeparlamentaren, shkruan Insajderi.
Në deklaratën e saj, Gërvalla përmendi emrin e deputetit Anton Quni, duke e akuzuar se ka tradhtuar vlerat që, sipas saj, dikur i ka mbrojtur.
Reagimi i Qunit nuk vonoi. Përmes një postimi në Facebook, ai e quajti Gërvallën “dezertore”, duke vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e saj politike.
Nuk vonoi shumë dhe Gërvalla u përgjigj duke e përmendur termin “besnikëri”, duke e akuzuar se e vë në punë veç në kohë zgjedhjesh.
“Besnikëria nuk matet në raport me shefat e partisë dhe baballarët e koalicionit PDK-LDK-Lista Serbe, por në raport me shokët dhe kolegët e vrarë pas shpine. Komandant, ku e le besnikërinë ndaj Tahir Zemajt, Isuf Haklajt, Sebahate Tolajt e shumë të tjerëve? Apo e nxjerr nga sirtari vetëm kur është kohë votash?”, shkroi ajo në Facebook.
Çka u tha paraprakisht?
Orë më parë, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, i është kundërpërgjigjur deklaratës së Donika Gërvallës, e cila kishte përmendur disa deputetë të LDK-së se u bashkuan me Listën Serbe për të votuar kundër saj.
Në mesin e tyre, ajo kishte përmendur edhe Qunin, shkruan Insajderi.
Përmes një shkrimi në Facebook, Quni tha se për të besimi dhe besnikëria janë parime thelbësore në politikë.
“Pse është e rëndësishme besnikëria në politikë? Për mua, besimi është themeli i çdo marrëdhënieje. Kjo vlen edhe për politikën. E dëgjova ankesën e deputetes Donika Gërvalla-Schwarz që nuk e votova për kryetare të Kuvendit. Kjo më bëri të reflektoj mbi një standard që unë e kam thelbësor: besnikërinë”, shkroi ai.
Quni theksoi se nuk mund t’i japë besim dikujt që, sipas tij, ka ndryshuar anë dhe ka braktisur njësinë.
“Kam një parim të palëkundur, si në jetë, ashtu edhe në punë: nuk mund t’ia besoj një post të rëndësishëm një personi që ka ndryshuar anë dhe ka braktisur njësinë. Kjo është njësoj sikur të ngresh në detyrë një ushtar që ka dezertuar një ditë më parë. Unë besoj vetëm tek ata që qëndrojnë besnikë edhe kur gjërat vështirësohen. Është kjo besnikëri që ndërton besim dhe bën të mundur punën e vërtetë, atë që është në shërbim të qytetarëve”, tha ai.
Sot, Gërvalla akuzoi deputetë e LDK-së për bllokimi të Kuvendit.
“LDK ka pasë mundësi ta zhbllokojë Kuvendin nuk e ka bërë një gjë të tillë. Imagjinoni, aty në Kuvend janë të ulur djali i Xhemajl Mustafës, Besian Mustafa, nipi i Tahir Zemaj, Armend Zemaj, janë ulur dy komandantë të Koshares, Fadil Hadërgjonaj dhe Anton Quni, dhe këta të katërt janë bërë bashkë me PDK-në dhe Listën Serbe për të votuar kundër Donika Gërvallës“, u shpreh sot Gërvalla para mediave.