Basketbollisti i Kosovës, Gëzim Morina ka vizituar Kampin Nacional të Basketbollit, ku ka parë nga afër punën që po bëhet në këtë kamp dhe basketbollistët/et që po marrin pjesë.
Morina ka treguar përvojën e tij si lojtar dhe sa e rëndësishme është për fëmijët që të jenë pjesë e një kampi dhe sa ndihmon kjo në zhvillimin e tyre për të ardhmen.
Basketbollisti therandas ka inkurajuar fëmijët që të punojnë dhe të mos ndalen deri në realizimin e ëndrrave të tyre.
Morina është pjesë e rëndësishme e Përfaqësueses së Kosovës dhe Golden Eagle Yllit, kampion në Kosovë, ndërsa më parë ka luajtur edhe në Slloveni.
Lojtarët/et ishin shumë të kënaqur që kanë takuar Gëzimin, duke shpresuar se një ditë do të jenë pjesë e Kosovës A.
Kampi i basketbollit ka filluar më 25 korrik dhe do të përmbyllet të shtunën (30 korrik), ku po marrin pjesë nga 24 djem dhe vajza të lindur në vitet 2009-2010.
Kampi që organizohet nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) po mbahet në “Loyola Gymnasium”. Synimi i këtij kampi është zhvillimi i gjeneratave të reja, që më vonë do të jenë pjesë e Përfaqësueseve të Kosovës dhe do të jenë e ardhmja e basketbollit.