Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Alain Giresse, është duke e mbajtur konferencën e parë para dy ndeshjeve miqësore, raporton Insporti.com.
Giresse të premten e kaluar publikoi listën e futbollistëve të grumbulluar dhe sot në këtë konferencë do të flet për dy sfidat e tij të para si përzgjedhës i Kosovës.
Përzgjedhësi i Kosovës është pyetur se a do të jetë i përfshirë direkt në bisedimet me futbollistët të cilët mund të luajnë për Kosovën.
Ai ka deklaruar se edhe më herët ka pas përvojë të tillë dhe se do të mundohet të bindë futbollistët që të pranojnë ftesën e Kosovës.
“Ideja është të ftohen futbollistët me potencial. Por, edhe pa ardhjen time, nuk është se është neglizhuar kjo punë. Federata ka bërë mjaft shumë punë, unë veçse do t’i bashkohem kësaj dhe ta jap kontributin tim. Do të mundohem t’i bind futbollistët ta përfaqësojnë vendin e tyre. Do të përdorim secilin mjet që na ndihmon në këtë drejtim”Nën drejtimin e Giresse, “Dardanët” do t’i zhvillojnë dy ndeshje.
Fillimisht, më 24 mars, në “Fadil Vokrri”, Kosova e luan miqësoren e parë ndaj Burkina Fasos.
Më 29 mars, në Cyrih, po ashtu Kosova luan miqësore ndaj Zvicrës.
Sot, 21 mars, trajneri Giresse do të paraqitet në një konferencë për shtyp nga ora 11:00.
Ndërsa, nesër, 22 mars, djelmoshat e Giresses do të zhvillojnë stërvitjen e parë për këtë vit në “Fadil Vokrri” nga ora 16:00. /insporti.com/