Përzgjedhësi i Kosovës, francezi Alain Giresse, ka konfirmuar se është duke i përcjellë me vëmendje paraqitjet e Ermal Krasniqit me fanellën e Clujit. Ai të enjten për KOHËN ka thënë se ende nuk ka vendosur për listën e lojtarëve që do t’i ftojë për ndeshjet e para të ciklit të ri kualifikues për “Euro 2024”.
Kosova në mars i luan dy ndeshjet e para të grupit I, atë kundër Izraelit në Tel-Aviv dhe në Prishtinë kundër Andorrës. Në grup Kosova ka edhe Zvicrën, Bjellorusinë dhe Rumaninë. Krasniqi është duke shkëlqyer me fanellën e kampionit rumun, Clujit.
Ishte raportuar në media se ish-ylli i Ballkanit mund të luantë për Shqipërinë.
“Ermal Krasniqi është një lojtar që e ndjek dhe sigurisht këto paraqitje me Clujin. Jam duke punuar në përgatitjen e listës për muajin mars. Por, asnjëherë nuk i shpall paraprakisht lojtarët që do të përzgjidhen”, ka thënë Giress të enjten.
Sulmuesi 24-vjeçar i krahut pjesë e Clujit është prej janarit të këtij viti. Ai u transferua nga skuadra e Ballkanit, ndërsa në 5 ndeshje në Superligën rumune ka shënuar dy gola dhe ka kontribuuar me një asistim. Ai pati paraqitje të mirë edhe javën e kaluar në “Stadio Olimpico” të Romës kundër Lazios, në plejofin e 1/16 të Ligës së Konferencës. Ai pritet të jetë titullar edhe sot. Nga ora 18:45 luhet ndeshja kthyese në Rumani. Lazio e ka fituar ndeshjen e parë 1:0.