Qeveria Kurti le që nuk e ka në plan ta ndalë të ashtuquajturën gjakderdhje financiare, por edhe po e shkakton atë. Duke përzgjedhur operatorët ekonomikë me ofertat ndër më të shtrenjtat për tenderin për zgjerimin e rrugës Nacionale Prishtinë – Besi – Podujevë, ka shkaktuar dëm buxhetor prej afro tre milionë eurove.
Kontrata iu është besuar një numri të madh të kompanive përfituesve më të mëdhenj të PAN-it, përfshirë këtu ‘kokën’ e tenderëve të asaj kohe, ARBOTEC SH.P.K.
Tender për njërin lot të kësaj rruge nacionale e ka fituar edhe miku i Hysen Durmishit, që posedon kompaninë “Bageri”, raporton Gazeta Insajderi.
Për Lotin 0, Ministria e Infrastrukturës e ka shpërblyer grupin e operatorëve ekonomik Pro & Co Group SH.P.K.; Levantina Ingenieria Y Construccion sl, të cilët kanë ofertuar afro 6,5 milionë euro. Ministria e Liburn Aliut ka neglizhuar në këtë rast ofertuesin më të lirë prej 5,828,275 euro, duke i shkaktuar dëm buxhetit për 656,579 euro.
Ndërkaq, Loti 1 iu është besuar Grupit të Operatorëve Ekonomik 2A Group, SHPK; Vega SH.P.K, të cilët ofertuan 8,447,447 euro. Duke neglizhuar ofertën më të lirë prej 7,917,644 eurosh nga Grupi i Operatorëve Ekonomik Arbotec SH.P.K; GEO Construction Sh.P.K, Mineral L.L.C, BM GROUP SH.P.K, Qeveria Kurti çoi dëm 529,803 euro.
Për mikun e zëvendësministrit Hysen Durmishi, i cili posedon kompaninë BAGERI SH.P.K, është “rezervuar” tenderi për Lotin 2. Për të, qeveria i ka dhënë 8,644,259 euro, duke paguar afro një milion euro më shtrenjtë sesa ofertuesin më të lirë ekonomik.
Ministria e Aliut e ka shpërblyer kompaninë “Bujar Shabani B.I. dhe “Bageri” ani pse pronari i saj tashmë po përballet me një proces gjyqësor, nën akuzën që ka falsifikuar dokumente dhe ka bërë deklarim të rremë nën betim për një tender në komunën e Lipjanit.
Siç ka raportuar Insajderi, bëhet fjalë për kontratën: Ndërtimi i rrugëve në lagjet Sllovi, Gadime, Smallushë, Gumnasellë, Llugaxhi dhe Babush, i cili kap vlerën e 734 mijë eurove.
Sipas të gjeturave të AVONET, kompania Bageri në këtë prokurim publik ka aplikuar me dokumente të falsifikuara. Prokuroria vitin e kaluar kishte ngritur aktakuzë kundër biznesmenit Bujar Berisha për mashtrime në tenderët publikë.
Qeveria Lotin 3 të rrugës nacionale Prishtinë – Besi – Podujevë ia ka besuar Arbotec SHPK, një nga përfituesit më të mëdhenj të tenderëve në kohën e qeverisë së PAN-it. Arbotec SHPK me një grup operatorësh ekonomik e kanë fituar tenderin prej 9,254,811 eurosh. Me këtë, Ministria e Infrastrukturës ka neglizhuar ofertuesin më të lirë të operatorëve ekonomik në vlerë prej 8,550,387 euro, duke e paguar kompaninë përfituese në kohën e PAN-it 704 mijë euro më shtrenjtë.
Rreth 152,846 euro vlerësohen dëme buxhetore me përzgjedhjen e një nga ofertuesve më të shtrenjtë prej operatorëve konkurrentë ekonomik nga ana e Ministrisë së Aliut për Lotin 5. Tenderuesi i suksesshëm i këtij loti është grupi i operatorëve ekonomik është BENI – COM SH.P.K; SABA BELCA Dega në Kosovë; SHERIF SH.P.K.
Përmes përzgjedhjes së ofertuesve më të shtrenjtë për zgjerimin e rrugës Prishtinë – Besi – Podujevë, Qeveria Kurti që zotohej të ndalte “gjakderdhjen financiare”, ka dëmtuar buxhetin për 2,882,304 euro. /Insajderi.org/