×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Gjashtë muaj pas raportimit të Insajderit, Policia zbarkon në barnatoren “Rexall”

    Insajderi
    20 March 2023 - 15:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ka gjashtë muaj që kur Gazeta Insajderi raportoi për “mallin në të zezën” që posedonin pronarët e barnatores “Rexall” në kryeqytet. Të mërkurën e 16 marsit, drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike e Policisë se Kosovës në mesin e 7 barnatoreve siç mësoi Insajderi, zbarkoi edhe tek “Rexall”, pika që ndodhet ndodhet në lagjen “Ulpiana”. Nuk u specifikua sasia e mallit të konfiskuar veçmas në secilën barnatore, por dihet se gjithsej u konfiskuan 598 lloje të produkteve farmaceutike, të cilat policia i gjeti brenda lokaleve, e të cilat u cilësuan të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve.

    Gazeta Insajderi posedon audio-incizimin ku pikërisht pronarët e rrjetit të barnatorve “Rexall”, Krenar e Arbnor Alidema dëgjohen duke folur për natyrën e biznesit, për mbajtjen e “mallit në të zezë”, në banesë, e transportim e tyre tinëz.

    Në këtë audio-incizim, Krenar dhe Abrnor Alidema, dhe një person i pa identifikuar krejtësisht, por që i drejtohen si Jakupi, flasin prej mënyrës se si e bartin “mallin” prej banesave, dhe dyshohet se flasin për barna, për tërheqje të parave nga banka në shuma të vogla për të paguar borxhe që shkojnë mbi 50 mijë euro e deri të lidhjet me oficerë të Policisë së Kosovës.

    Në këtë audio-incizim që e sjell Insajderi të plotë, përmendën emrat e së paku tre policëve, por aty përmendet lidhja edhe me një policë të katërt që punon në ndërlidhje me Interpol, por të cilit nuk i përmendet emri.

    Malli në të zezë” në banesë i pronarëve të barnatores Rexall

    Në këtë audio-incizim prej mbi 40 minutash, Krenar e Arbnor Alidema në prani edhe të personit të tretë të identifikuar vetëm si ‘Jakupi’, flasin edhe për atë që ata i referohen si malli. Nuk zbulojnë se a bëhet fjalë për barna apo ndonjë mall tjetër, por biseda e tyre zhvillohet në drejtimin që atë duhet ta transportojnë në mënyrë të padiktueshme.

    Derisa janë duke folur për mënyrën se si, sipas Krenar Alidemës do ta njoftoi njeriu i tij në Polici, i ndërlidhur me njësinë ndërlidhëse për Interpol, ai kalon tek biseda për “mallin”.

    Paraprakisht ai zbulon se kurdo që janë gati për ta arrestuar, ‘njeriu i tij’ do ta njoftoi së paku dy ditë më herët, derisa ky do të përdorë metodën e shmangies së arrestimit duke vendosur në derën e banesës se ajo lëshohet me qira.

    Papritmas Arbnor Alidema e pyet të vëllain e tij, Krenarin se “E qysh ti mos me ia dhënë çelësat?” e ai i përgjigjet se “Mi lypi një palë çelësa”, pa treguar se kush ia ka kërkuar, por duket se mirëkuptohen se kush po i kërkonte.     

    “Jo sot, atë ditë ka ardhur ajo menjëherë për mall, atë ditë kam dashtë me ia dhënë unë, e kisha shti kah banesa jem, në atë hyrjen tjetër ta kisha heq, ta kish zhdukë”, thotë Arbnor Alidema, derisa  Krenari i thotë se “për mallin e patëm ndryshe strategjinë, mallin desha unë me largu prej poshtë”

    “Arbnori: Qysh prej poshtë? Krenari: Teposhtë me qit. Arbnori: S’ki nevojë. Krenari: Lokal poshtë e me qit përmasë se e pruna kombin përmasë. Arbnori: Po jo se s’ki nevojë hiç, ti e qet kah banesa jem, qe ku e qet, kah banesa jem, kah bodrum e qet përmasë që kush njeri i gjallë nuk të sheh. Hiç kurrkush nuk të sheh. A e ke largu a? A e ki mallin aty?  Krenari: Po .Arbnori: Jepja çelësat Jakupit, unë me Jakupin e kapim mallin e qesim kah banesa jem kah ordinanca, bodrum poshtë prapa edhe fijuu ikë malli edhe më kallëzon ku po do me ta çu”, është një prej pjesëve të dialogut mes vëllezërve.

    Ata në një pjesë tjetër të bisedës i referohen edhe si “malli i zi”.

    “Thuaj u kry le ti qet te motra edhe thuaji u kry kjo farë pune edhe thuaj jepja çelësat menjëherë, kështu ia bon. Ti jepmi mu çelësat ta heq mallin në të zezën prej banesës së vogël”, i thotë Arbnor Alidema vëllait të tij Krenarit.

    Tutje ata e vazhdojnë bisedën, dhe Arbnori kërkon të sigurohet se nuk ka “mall në të zezën”

    “Jakupi: Aty ka veç pampersa. Arbnori: Mos t’është malli në të zezën se pampersa p.sh… në të, s’janë kurrgjë. Ato çelësa i them jepja edhe Dëshirës, nuk ka nevojë me thy derën as kurrgjë. Mall të zezën s’ki aty. Krenari: Jo bre Bardhi, ky i ka të banesës së vogël , të voglës, sot i çova diku, kurrgjë s’ka, mirë është. Arbnori: S’ka mall në të zezën?”

    Pas hulumtimit për Gazetën Insajderi u deklaruan edhe nga Inspektorati Farmaceutik. Drejtoresha e Inspektoratit të Farmacisë, Remzie Thaçi, konfirmonte se barnatoret “Rexall” janë gjobitur 11 herë brenda tri viteve.

    “Inspektorati Farmaceutik kryen aktivitete inspektuese sipas Planit vjetor të punës, ri-inspektime, inspektime ad- hoc si dhe me kërkesë. Në Arkivën e Inspektoratit Farmaceutik të kërkuar brenda tri viteve të fundit, Barnatoret “Rexall” janë inspektuar sipas Planit vjetor të inspektimeve, ri-inspektimeve, ad-hoc si dhe disa raste me kërkesë/ankesë”, ka thënë drejtoresha.

    Përveç gjetjes së barnave ilegale, “Rexall” ishte ndëshkuar edhe për veprimtari tjera që bien ndesh me ligjin. Gjoba kap vlerën e 6 mijë eurove.

    “Në të gjitha llojet e inspektimeve, bazuar në të gjeturat janë marrë masa sipas Legjislacionit në fuqi si në vijim: Ndëshkim për barna ilegale gjithsej 5, Ndëshkim për mungesë të recetave gjithsej 2, Ndëshkim për mos etiketim të hapësirës të barnave me afat të skaduar gjithsej 2, Ndëshkim për dhënien e produktit medicinale pa recetë mjekësore gjithsej 1, Ndëshkim për ndërrim të terapisë gjithsej 1”, sqaroi ajo.

    Bazuar në atë se çka thotë ligji Për Produkte dhe Pajisje Medicinale nënkuptohet, se për 11 raste për tre vite “Rexall” ishte gjobitur me 11 mijë euro.

    “Sa i përket vlerës së gjobës deri me tani Inspektorati Farmaceutik ka lëshuar gjoba mandatare në vlerë prej 1000€ konform Ligjit 04/L-190 për Produkte dhe Pajisje Medicinale , ndërsa për procedura të mëtutjeshme lëndët janë përcjellur tek Agjencia Për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) për procedim te mëtutjeshëm bazuar ne dispozitat ligjore ne fuqi, që dmth. se secila gjobë e lëshuar nga Inspektorati ka vlerë 1000€”, deklaronte Thaçi për Insajderin.

    Pas raportimit të Insajderit, Krenar Alidema ishte nisur direkt për në Zvicër, atje pritej të dorëzohej para Policisë Federale.

    Një burim brenda këtij institucioni, i kishte thënë gazetës, se Alidema ka fluturuar nga Kosova për në Zvicër.

    Sipas të njëjtit burim, ai pritej që ditëve në vazhdim të intervistohej nga po policia zvicerane, pasi dyshohet për vrasje të shkallës së dytë.

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark