×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Gjashtëmbëdhjetë vjet shtet – gjashtëmbëdhjetë vjet emigrim nga Kosova  

    Insajderi
    16 February 2024 - 13:42
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Shkruan: Sami Behrami

    Edhe pse titulli i shkrimit mund të duket paradoksal, megjithatë emigrimi është realiteti i cili po e përcjell Kosovën edhe në përvjetorin e 16 të pavarësisë. Në gjashtëmbëdhjetë vjet shtet në Kosovë segmente te ndryshme të jetës patën ulje ngritjet e tyre, por proces i vazhdueshëm shqetësues ishin dhe janë emigrimet e jashtme të popullsisë së Kosovës.

    Se emigrimet kanë marr përmasa shqetësuese e dëshmon fakti se që nga shpallja e pavarësisë, Kosovën e kanë braktisur rrethi 400 mijë banorë ( ekzistojnë statistika të ndryshme për emigrimit në varësi nga burimi i cili shfrytëzohet nga 375 deri 416 mijë). Mesatarisht Kosovën brenda vitit e kanë braktisur rreth  25 mijë banorë, që do të thotë se gjatë pavarësisë Kosovën mesatarisht e kanë braktisur : 70 banor brenda ditës ose 1 person në çdo 20 minuta. Gjatë vitit 2021 dhe 2022 situata është përkeqësuar edhe më tepër kur Kosovën e kanë braktisur : brenda ditës 115 persona ose  çdo 12 minuta 1 person. Gjendja sa i përket emigrimeve gjatë vitit 2024 mundë edhe të përkeqësohet edhe më tepër me rastin e liberalizimit të vizave nisur kjo edhe nga praktikat e vendeve tjera të cilat me rastin e liberalizimit të vizave kanë shënuar rritje të konsiderueshme të fluksit migratorë.

    Situatën ekonomike, shkalla e lartë e papunësisë  dhe mungesa e perspektivës sidomos tek te rinjtë është edhe shkaku kryesor i prirjes për emigrim (73% e të rinjve të Kosovës përmendin situatën ekonomike si arsyeje për emigrim). Bazuar në sondazhe të ndryshme të  anketuarit që kanë shprehur dëshirën të ikin nga Kosova kryesisht janë gjenerata të reja (20 deri në 40 vjet)  të cilët përbejnë kontingjentin kryesor demografik dhe lindshmërisë, kontingjentin e punës, te sigurisë etj., duke shkaktuar rënie te “kapitalit human”, si bartësin kryesor të zhvillimit socio-ekonomik.

    Ky fenomen mundë të konsiderohet si largim i energjive, dijeve dhe vullnetit për ndryshim, pasi pjesa dërmuese e tyre largohen për të mos u kthyer më (për punë dhe jetë), duke tërhequr me vete familjen e tërë. Për zhvillimet në vend, shifrat e emigrimeve janë alarmante dhe tregojnë përse Kosova, me këto ritme të emigrimit është e destinuar të tkurret dhe të plaket, aq sa të kthehet në vend i të moshuarve në gjysmën e dytë të shekullit nga vendi me moshën më të re të popullsisë që ishte në fillim të shekullit XXI.

    Faktori tjetër që lidhet ngushtë me tkurrjen dhe plakjen e popullsisë është pa diskutim edhe ulja e lindshmërisë për rreth 1.6 here ( në të cilën ndikimi i emigrimeve është shumë i rëndësishëm). Përveç numrit të përgjithshëm të lindjeve edhe treguesit tjerë kanë zhvillime të pafavorshme. Kështu Norma Totale e Lindshmërisë ( tregon numrin e fëmijëve të gjallë të lindur nga një grua) në vitin 2022 ishte 1.6. Në mënyrë që popullsia të mos të tkurret duhet që ky indeks të jetë 2.1, që është edhe niveli i zëvendësimit të gjeneratave.

    Fatkeqësisht në Kosovë trendi i Normës Totale e Lindshmërisë nën 2.1 është shënuar që nga viti 2008. Trendi me rënje të shpejtë i lindshmërisë dhe shtimit natyror (për afër 3 here) dhe fluksi i lartë i emigrimeve në radhë të parë reflektohen në zvogëlimin e numrit të nxënësve në sistemin arsimor. Kështu trendët e pa favorshme të këtyre dy komponentëve kanë ndikuar që në Kosovë numri i nxënësve në arsimin fillor në periudhën 2008-2022 të zvogëlohet për -104966 (-32.2%), në arsimin e mesëm për – 42140 (- 38.5%, 2012-2022) dhe në arsimin e lartë për -52041 (-41.9%, 2017-2022). Zvogëlimi i numri të nxënësve dhe  studentëve më së miri tregon për mungesë e perspektives dhe emigrimin masiv të të rinjve.

    Në sferën ekonomike, mungesa e kapitalit njerëzor tani më është kthyer në shqetësim për rritjen ekonomike të vendit, teksa në afate më të gjata, sistemi arsimor (tani më), tregu i punës, sistemi i pensioneve, kujdesi social dhe cilësia e demokracisë, do të përkeqësohet në mungesë të një popullsie të re në moshë.

    Me një përllogaritje të thjeshtë, Kosova i kanë humbur mbi 2.5 miliardë euro, nëse supozojmë se 416 mijë persona që kanë ikur që nga shpallja e pavarësisë ishin të gjithë me shkollë të mesme. Gjithashtu, çdo individ i aftë për punë që emigron nga Kosova merr me vete mesatarisht rreth 17,000 euro në vit në potencialin e ardhshëm vjetor të BPV-së, që do të mund të realizoheshin nëse rrjedha ekonomike do të mundësonte punësimin e tyre produktiv.

    Edhe përkundër faktit që Kosova ballafaqohet me fluks shumë të lartë të emigrimeve, më shumë se gjysma e qytetarëve të Kosovës (55.4%) i shohin emigrimet e popullsisë si kërcënim dhe pajtohen se emigrimet do të kenë ndikim negativ për zhvillimet e ardhshme në vend, ndërsa vetëm 11.6% i shohin si mundësi ose pajtohen se emigracioni do të ketë ndikim pozitiv për perspektiven e ardhshme të vendit. Përder sa në fillim të shekullit XXI arsyet e emigrimit ishin te karakterit ekonomik,  tani  humbja e shpresës dhe pasigurt për të ardhmen më të mirë ne Kosovë është kthyer në arsyet kryesore për emigrim.

    Fluksi shumë i lartë migratorë dhe gatishmëria shumë e lartë për emigrim, nënkupton se  institucionet e Kosovës fatkeqësisht ka bërë shumë pak në adresimin e faktorëve nxitës të emigrimit siç janë: zhvillimi ekonomik, papunësia, perspektiv për jetë të sigurt, më të mirë, më të dinjitetshme etj, duke përfshirë këtu edhe masat e politikave populiste dhe afatshkurtra të cilat nuk japin rezultate kur bëhet fjalë për çështjen e largimit të njerëzve nga vendi.

    Gjendjen e krijuar me emigrimet, të cilat Kosovën e kanë futur në një krizë demografike dhe socio-ekonomike, më së miri do të shpjegonte postulata e fituesit nobel për ekonomi (2001) George Akerlof, sipas të cilit, “sa më shumë njerëz largohen nga një vend, aq më pak tërheqës bëhet që të tjerët të qëndrojnë”, ose edhe fjala e urtë popullore “sheh fiku-fikun dhe piqet!   A kanë zgjidhje emigrimet e jashtme?   Sigurisht që po, nëse masat dhe adresimi i tyre në rastin e Kosovës janë të menjëhershme, të shpejta dhe gjithëpërfshirëse para se emigrimet e jashtme të kthehen në aspiratë, në mendësi (nëse nuk janë kthyer ende) dhe të sfidojnë çdo alternativë që ofrohet nga shteti me qëllim që ato të jenë të qëndrueshme.

    Krijimi i kushteve për njerëzit e sidomos për rinin që të kenë besim në ndërtimin e një të ardhme në vendin e tyre është çelës për zgjidhjen e problemit të emigrimeve. Kjo mund të arrihet me rritje të përpjekjeve për të : zvogëluar pasigurinë ekonomike dhe psikologjike, për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik dhe shoqëror që nënkupton një ekonomi e fort që siguron vende pune, punësim të qëndrueshëm dhe të ardhura të qëndrueshme (shkalla e papunësisë te te rinjtë 49.1% sipas Bankës Botërore- Q2-2019); banim të përballueshëm për familje; përkrahje financiare për familjet posaçërisht për ato me të ardhura të ulëta ose pa të ardhura e me numër të madh të anëtareve, krijimin e një atmosfere prosperiteti, të mbështesin dhe mundësojnë qasje në arsim dhe kujdes shëndetësor cilësor ( vetëm 20 % e te rinjve Kosovar janë të kënaqur me cilësinë e arsimit në Kosovë), mbështetje për rritjen e fëmijëve në mënyrë që të ulen gjasat për emigrim dhe kanë me shume gjasa të vendosin të kenë fëmijë etj.

    Fatkeqësisht, si pasojë e mungesës së politikave të mirëfillta për migracion edhe anët pozitive te emigrimeve (remitancat, njohurit e fituara nga emigrantet, investimet etj.) Kosova nuk është duke i shfrytëzuar për zhvillim edhe pse burimet në dispozicion të mërgatës janë një avantazh i jashtëzakonshëm që, nëse përdoret në mënyrën e duhur, mund të çojë në një kthesë për perspektivën të përgjithshme e ne veçanti për atë ekonomike të çdo vendi.

    Me qëllim të përmirësimit të gjendjes, Kosova duhet të ndryshoj shumëçka: që nga politikat dhe strategjitë ekzistuese, deri tek çasja ndaj mërgatës duke u orientuar në modelin zhvillimor i njohur si 3T ( nënkupton tri tipa të transferimeve: transferimi i kapitalit social; transferimi i njohurive dhe transferimi i burimeve financiare – remitancat).

    Në funde, emigrimet e dy dekadave te shekullit XXI nga Kosova janë vala më e pafavorshme të emigrimit deri tani, sepse po zhvillohet në rrethana të reduktimit të lindshmërisë, rënies së shtimit natyrorë, stagnimit me tendenca te rënies të numrit të përgjithshëm të popullsisë dhe  procesit të përshpejtuar të deformimit të strukturave te popullsisë sidomos asaj sipas moshës drejt  plakjes së popullsisë.

    Zhvillimet e tilla nuk lejojnë mbajtjen e një qëndrimi indiferent të shoqërisë dhe shtetit por kërkojnë ndërmarrje të menjëhershme, të shpejta dhe gjithëpërfshirëse të masave para se emigrimet e jashtme të kthehen në “thembër e Akilit” për Kosovën . Pa ndërhyrje emergjente në shumë drejtime me politika popullatave, ekonomike dhe sociale, sidomos për menaxhimin e qëndrueshëm të emigrimi dhe lindshmëria, perspektiva e Kosova është në udhëkryq dhe me pikëpyetje të mëdha.    

    Autori është doktor i shkencave të demografisë- gjeografisë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark