Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhje në të cilën ka marrë një numër vendimesh. Njëri nga vendimet mundëson që Kosova e Shqipëria të kenë një pikë të përbashkët për kontrolla kufitare gjatë stinës së verës.
Një gjë e tillë është bërë për të shkurtuar pritjet gjatë kalimit në këto pika kufitare.
Po ashtu, qeveria ka aprovuar vendimin për emërimin e anëtarëve në Bordin e Autoritetit të Aviacionit Civil dhe vendimin për emërimin e drejtorit dhe zëvendësdrejtorëve në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror.
Kabineti qeveritar, në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe Nismën për lidhjen e Marrëveshjes për Protokollin Financiar ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Francës. Marrëveshja parasheh huan për financimin e projekteve të trajtimit të ujërave të zeza në Kosovë.
Edhe Nisma për lidhjen e Marrëveshjes për themelimin e Zyrës së Bashkëpunimit të Rinisë, ka marr aprovimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme. Në këtë marrëveshje janë përfshirë gjashtë shtete të regjionit dhe selia e kësaj zyre do të jetë në Tiranë.