Insajderi
Lajme

Gjendej në arrati- Dosja e Valmir Hajrullahut, të dyshuarit për mashtrim për shërim jashtë vendit, që Gjykata e Pejës e la në shtëpi

Insajderi
22 February 2026 - 21:37
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Gjendej në arrati- Dosja e Valmir Hajrullahut, të dyshuarit për mashtrim për shërim jashtë vendit, që Gjykata e Pejës e la në shtëpi
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Gjykata Themelore e Pejës ia ka caktuar masën e arrestit shtëpiak Valmir Hajrullahut, të dyshuarin për një skemë mashtrimi me qëllim të përfitimit të afro 130 mijë eurove.

Në dosjen e Prokurorisë që ka siguruar Insajderi, thuhet se Valmir Hajrullahu është paraqitur si mjek duke shfrytëzuar gjendjen shëndetësore të dëmtuarit, A.B.

“Me date 15.06.2021, për herë te parë unë kam shkuar ne Stamboll – Turqi së bashku me vëllain tim , aty jemi takuar me Valmir Hajrallahun i cili na është prezantuar si doktor kardiokirurg”, ka deklaruar një dëshmitare.

Sipas dosjes i pandehuri nuk ka vepruar vetëm. Në ketë skemë ishin përfshirë edhe Avdyl Kryeziun dhe shtetasin turk Yilmaz Tassoker.

Hajrullahu dyshohet se u paraqit para viktimës me petkun e mjekut.

Për ta bërë mashtrimin sa më të besueshëm, grupi kishte përgatitur dokumentacion të falsifikuar që përfshinte: Termine fiktive për ekzaminime mjekësore. Rezervime biletash avioni për udhëtime “shëndetësore”. Fatura të falsifikuara dhe komunikime zyrtare përmes email-eve.

“I pandehuri, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, është paraqitur si mjek, duke shfrytëzuar kështu gjendjen shëndetësore të të dëmtuarit… duke kërkuar në vazhdimësi deponimin e shumave të ndryshme të parave nga i dëmtuari dhe familjarët e tij,” thuhet ne dosjen e prokurorisë që ka siguruar Insajderi.

Shuma prej 134,000 eurosh u mor përmes transaksioneve të njëpasnjëshme, ku i dëmtuari, i gjendur në situatë të vështirë shëndetësore, paguante për shërbime që në fakt nuk ekzistonin.

Prokuroria ka siguruar si provë përshkrimin tabelar të të gjitha këtyre pagesave, së bashku me një CD që përmban video-incizime të dorëzuara nga viktima.

E kaluara e Valmir Hajrullahut

Prokuroria e Pejës në arsyetimin për caktimin e masës së paraburgimit për 30 ditë, e cila u refuzua nga gjykata në Pejë, specifikon se i dyshuari Hajrullahu është gjendur në arrati dhe s’është lajmëruar pranë organeve kompetente.

“Kërkesa në mbështetje në nenin 163, par. 2, nën par. 2.5, pika 2.5.1, lidhur me nenin 184, par. 1, nënpar. 1.2, pika 1.2.1 i KPP-së, parashtrohet për shkak se i pandehuri nga koha e kryerjes së veprës penale e në vazhdimësi, i njëjti ka qenë në arrati dhe nuk është paraqitur para organeve kompetente për dhënien e deklaratës lidhur me këtë çështje penale, ku po ashtu prokurori i shtetit ka lëshuar edhe autorizim për arrestim për të njëjtin, por përsëri i njëjti ka qenë i pakapshëm për organet kompetente, gjer me datë 20.02.2026, kur edhe është paraqitur në polici për dhënien e deklaratës dhe të gjitha këto janë rrethana të cilat tregojnë se me lënien e të pandehurit në liri, ekziston rreziku i ikjes së tij”, thuhet në arsyetimin e Prokurorisë.

Pos tjerash, pranë policisë e prokurorisë i pandehuri dhe një dëshmitar kanë shprehur se ndjehen të frikësuar nga ai.

Gjithsesi, Gjykata e Pejës ka vendosur që Hajrullahut t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark