Insajderi
Lajme

Gjermania mbyll shoqatën “Muslim Interaktiv” pas akuzave për thirrje për kalifat dhe nxitje urrejtjeje ndaj Izraelit

Insajderi
05 November 2025 - 12:43
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Gjermania mbyll shoqatën “Muslim Interaktiv” pas akuzave për thirrje për kalifat dhe nxitje urrejtjeje ndaj Izraelit
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Gjermania e ka mbyllur të mërkurën një shoqatë myslimane, duke e akuzuar për veprimtari kundërkushtetutëse, përfshirë thirrje për krijimin e një kalifati, njoftoi Ministria e Brendshme gjermane.

Policia gjermane bastisi shtatë ndërtesa në qytetin verior të Hamburgut, ku e kishte selinë shoqata Muslim Interaktiv.

“Ne nuk do të lejojmë që organizata si Muslim Interaktiv ta minojnë shoqërinë tonë të lirë me urrejtjen e tyre dhe ta sulmojnë vendin tonë nga brenda”, tha ministri i Brendshëm Alexander Dobrindt.

Shoqata u vu në qendër të kritikave në prill të vitit 2024 gjatë një proteste në Hamburg, ku më shumë se 1.200 njerëz demonstruan, duke dënuar politikat gjoja islamofobe të Gjermanisë.

Pankartat e mbajtura në atë protestë përfshinin disa me mbishkrimin “kalifati është zgjidhja”, gjë që bëri bujë në të gjithë vendin dhe nxiti debat të ashpër kombëtar.

Shoqata, e akuzuar gjithashtu për mohimin e të drejtave të grave dhe nxitjen e urrejtjes ndaj Izraelit, tani do të shpërbëhet dhe pasuria e saj do të konfiskohet, sipas Ministrisë.

Qyteti i Hamburgut tha se kjo shoqatë, e themeluar në vitin 2020, ishte aktive kryesisht online dhe i kritikonte politikanët dhe shoqërinë për gjoja mospranimin e “të gjithë komunitetit mysliman”.

Ministri i Brendshëm i Hamburgut, Andy Grote, përshëndeti mbylljen e kësaj shoqate dhe tha se autoritetet “eliminuan një grup islamist të rrezikshëm dhe shumë aktiv”.

Policia të mërkurën bastisi gjithashtu ndërtesa në Berlin dhe në landin perëndimor Hese, si pjesë e hetimeve ndaj dy grupeve të tjera, Generation Islam dhe Realitaet Islam.

Gjermania më parë ka ndaluar disa organizata myslimane, përfshirë organizatën joqeveritare Ansaar, e cila u akuzua në vitin 2021 për financim të terrorizmit islamist nën petkun e bamirësisë.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark