Gjermania shton shpenzimet për mbrojtje - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Gjermania shton shpenzimet për mbrojtje

    Insajderi
    19 January 2017 - 17:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjermania planifikon të shtojë shpenzimet në fushën e mbrojtjes në afro dy miliardë euro gjatë këtij viti, por mbetet gjithsesi larg objektivit të kërkuar nga aleanca e Atlantikut të Veriut.

    Përllogaritjet e NATO-s për vitin 2016 tregojnë se vetëm 5 vende anëtare, SHBA, Britania, Greqia, Polonia dhe Estonia, kanë shpenzuar të paktën 2% të prodhimit kombëtar të vendeve të tyre në fushën e mbrojtjes, aq sa është edhe objektivi.

    Shpenzimet e Gjermanisë për mbrojtjen, që do të kapin shifrën e 37 miliardë eurove gjatë këtij viti, do të jenë vetëm sa 1.2% e PBB-së së këtij vendi. Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump thotë se aleatët e NATO-s janë tejet të varur nga Shtetet e Bashkuara.

    Ai ka hedhur dyshime gjithashtu nëse SHBA-të duhet të ndihmojnë ndonjë partner të aleancës ushtarake, bazuar mbi nenin 5 të saj, nëse kaq shumë vende anëtare nga 28 të tilla nuk paguajnë detyrimet e tyre. Ai e ka kritikuar NATO-n si një organizëm “të vjetëruar”.

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka nxitur prej kohësh vendet anëtare që t’i përmbahen objektivit prej 2%.

    Duke njoftuar objektivin e shpenzimeve ushtarake për 2017-n, ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen tha se “jemi duke lëvizur në drejtimin e duhur, por nuk mund t’i përmbahemi objektivit brenda një viti”. Shpenzimet e mbrojtjes pësuan gjithashtu rritje në vitin 2016.

    Gjermania, prej vitesh ka hasur vështirësi në modernizimin e ushtrisë së saj, kjo për shkak se është përfshirë gjithnjë e më shumë në operacionet e NATO-s. Ajo hoqi rekrutimin e detyrueshëm ushtarak, për t’u kthyer në një ushtri profesionale në vitin 2011, por vitin e kaluar u tha gjithashtu se mund të prezantohet një formë e re e shërbimit kombëtar për mbrojtjen civile.

    Vende të tjera anëtare të NATO-s kanë nisur gjithashtu rritjen e shpenzimeve në fushën e mbrojtjes. Aleanca përballet me një sërë sfidash sigurie, përfshi këtu kryengritjet islamike në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, por edhe rilindjen e forcave të armatosura të Rusisë, të cilat akuzohen se kanë minuar sovranitetin e Ukrainës


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark