×
  • Lajme
  • Insajderi

    Gjilanasit dënohen me 3 muaj burg pasi blenë katër pula dhe një gjel të vjedhur

    Insajderi
    04 December 2021 - 21:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Dy të akuzuarit A.H. dhe Q.H., janë dënuar me nga tre muaj burgim pasi kanë pranuar se kanë blerë katër pula dhe një gjel nga të pandehurit T.A. dhe K.I., për të cilat kanë mundur ta dijnë paraprakisht se janë të vjedhura.

    Dënimi ndaj të akuzuarve nuk do të ekzekutohet nëse ata në periudhën verifikuese prej një viti nuk kryejnë vepra të tjera penale.

    Ky aktgjykim është shpallur më 16 prill të këtij viti nga gjykatësi i Gjykatës Themelore në Gjilan, Rilind Sermaxhaj, në seancën fillestare, pasi dy të akuzuarit kanë pranuar fajësinë.

    Aktgjykimi në fjalë është përpiluar më 15 maj 2021.

    Ndërkaq, i dëmtuari P.S. për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontest civil.

    Prokuroria Themelore në Gjilan, më 21 shtator 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj A.H. dhe Q.H., me arsyetimin se në maj të vitit të kaluar në fshatin Zhegër të Komunës së Gjilanit dy të akuzuarit në bashkëveprim dhe me qëllim të përfitimit pasuror për vete kanë blerë, fshehë katër copë pula dhe një gjel nga të pandehurit T.A. dhe K.I., në vlerë prej 5 euro secilën pulë, të cilat të pandehurit T.A. dhe K.I., i kishin vjedhur në kotecin e të dëmtuarit P.S.

    Në këtë mënyrë, sipas prokurorisë në bazë të çmimit dhe rrethanave të shitblerjes, të akuzuarit kanë mundur ta dinë se pulat e vjedhura janë përfituar me vepër penale të vjedhjes.

    Me këtë, A.H. dhe Q.H. akuzoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, nga neni 333 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim deri në një vjet. /BetimipërDrejtësi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark