Gjilani dhe Malisheva kanë barazuar 2-2 në një ndeshje spektakolare në Gjilan.
Mysafirët e nisën më mirë ndeshjen duke realizuar edhe të parët gol.
Ilir Mustafa harkoi bukur nga goditja e dënimit, derisa Ronald Sobowale realizoi edhe më bukur me kokë për 0-1 në minutën e 18-të.
Por epërsia e malishevasve nuk zgjati më shumë se 12 minuta lojë, ku Arbër Pira shkaktoi penallti.
I saktë nga pika e bardhë ishte kapiteni i Gjilanit, Albert Dabiqaj që barazoi shifrat në 1-1 kur kishte kaluar gjysmë ore lojë.
Me rezultatin e barabartë 1-1 përfunduan 45 minutat e para në stadiumin me bari sintetik në Gjilan.
Vendasit me të filluar pjesa e dytë u hodhën të gjithë në sulm për të gjetur golin e epërsisë, por një gjë e tillë nuk ndodhi pasi mysafirët realizuan përsëri.
Drilon Hazrollaj depërtoi bukur në zonë dhe me shërbeu Bleart Tolajn i cili nga afërsia realizoi për 1-2.
Gjilani fitoi sërish penallti, kësaj radhe 10 minuta para fundit të ndeshjes, ku ekzekutimin e mori sulmuesi gjakovar Mevlan Zeka.
Goditja e Zekës nga pika e bardhë u prit nga portieri mysafir, derisa nga topi i kthyer Zeka e dërgoi në rrjetë për 2-2.
Gjilani realizoi gol në fund me Mevlan Zekën, por që u anulua nga VAR-i për pozitë jashtë loje.
Kësisoj ndeshja u mbyll në barazim 2-2 dhe Gjilani ruan vendin e tretë me 29 pikë, derisa Malisheva mbetet në vendin e tetë me 20 sosh.
Ndeshjen e radhës Gjilani do të ketë punë në udhëtim me Drenicën, derisa Malisheva pret Ferizajn.