Gjilani ka triumfuar 2-1 në udhëtim te Drenica në kuadër të javës së 21-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Qysh në minutën e parë të ndeshjes, skuadra gjilanase kaloi në epërsi me anë të Shend Kelmendin që shfrytëzoi daljen e portierit Gjoka, për të realizuar për 1-0.
Në minutën e gjashtë, Drenica u detyrua të bënte një zëvendësim të detyrueshëm, ku Azem Bejta doli nga loja dhe në vend të tij u inkuadrua Agim Zeka.
Derisa po përfundonte pjesa e parë, Drenica ia doli t’i barazonte shifrat në 1-1 me anë të Besfort Dervishajt (45+5’), që realizoi me kokë nga asistimi i Shkëlzen Lushtakut.
Por, Gjilani nuk u dorëzua dhe arriti ta rikthente epërsinë me golin e shënuar prej Baton Zabërgjës që u asistua prej Elton Cales në minutën e 81-të.
Gjilani vazhdon të jetë në vendin e tretë me 32 pikë edhe pas kësaj fitoreje, ndërsa Drenica mbetet në të nëntin me 20 sosh.