Insajderi
Hulumtime/Analiza

Gjobitet spitali “Medical Park” në Kosovë – Kryente shërbime të pa licencuar dhe mbante mjekë “në të zezën”

Insajderi
12 February 2026 - 15:39
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Gjobitet spitali “Medical Park” në Kosovë – Kryente shërbime të pa licencuar dhe mbante mjekë “në të zezën”
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Spitali “Samsun Medikal Grup” që ka bazën në Turqi e që operon edhe në Kosovë me emrin tregtar “Medical Park Kosova” ka bërë shkelje të rënda të Ligjit për Shëndetësinë. Inspektorati Shëndetësor ka ndëshkuar institucionin pasi gjeti një listë të gjatë mjekësh që ushtronin veprimtarinë pa qenë të regjistruar në sistemin shtetëror, madje edhe ofrim të protezave pa licencë.

Gazeta Insajderi

Spitali që operon në Kosovë me emrin tregtar “Medical Park”, në pronësi të “Samsun Medikal Grup Özel Sağlık Hizmetleri Anonim Şirketi Branch in Kosova”, me themelues Himet (Kadri) Çavuş, është gjobitur me 3 mijë euro nga Inspektorati Shëndetësor i Republikës së Kosovës për shkelje të Ligjit për Shëndetësinë.

Dokumentet që ka siguruar redaksia përmes kërkesës për qasje në dokumente publike në Ministrinë e Shëndetësisë, zbulojnë se ky spital ka operuar në kundërshtim me Ligjin për Shëndetësi, duke punësuar staf mjekësor të palicencuar dhe duke ofruar shërbime për të cilat nuk kishte leje.

Sipas vendimit të Inspektoratit, gjatë inspektimit të realizuar me datë 17.07.2025, janë gjetur  se 10 specialistë të fushave të ndryshme, nga kardiologjia, gjinekologjia e deri te urologjia, kanë ofruar shërbime shëndetësore si staf i palajmëruar në sistemin DLA të Ministrisë së Shëndetësisë.

Kjo është lista e mjekëve që figurojnë në regjistrimin e pacientëve por nuk janë te regjistruar për këto shërbime.

Dr. Visar Nushi (Ortoped), i cili sipas dokumentit ka ofruar proteza të gjurit si shërbim i palicencuar. Dr. Violeta Zatriqi (Kirurgji Plastike), Dr. Petrit Nuraj (Urologji), Dr. Yalcin Karakoca dhe Dr. Rukije Mehmeti (Pulmologji), Dr. Fatmire Ymeri dhe Dr. Burim Imeri (Gjinekologji), Dr. Zana Baftiu (Neonatologe), Dr. Mahmut Çakmak dhe Dr. Lulzim Brovina (Kardiologji)

Vendimi specifikon se spitali ka ushtruar veprimtari pa përmbushur kushtet e neneve 40 dhe 42 të Ligjit për Shëndetësi, të cilat qartësojnë se asnjë institucion nuk mund të fillojë punën pa licencim nga Ministria.

Reagimi i Medical Park

Pas interesimit të Insajderit, nga Medical Park kanë thënë se bëhet fjalë për një gjobë administrative dhe se rekomandimet e Inspektoratit janë adresuar.

“Gjoba në fjalë është gjobë administrative (pra bëhet fjalë vetëm për një kundërvajtje administrative). Megjithatë në shenjë të gatishmërisë tonë për bashkëpunim me të gjitha institucionet, ne nuk kemi parashtruar ankesë pa çka se kemi pasur bazë juridike dhe argumente faktike për një veprim të tillë. Padyshim që gjoba është paguar brenda afatit të përcaktuar nga Inspektorati Shëndetësor” ka thënë për Insajderin menaxherja për Marketing dhe Marrëdhënie me Publikun në Medical Park, Rozeta Larashi.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark