Mungesa e gjuhës shqipe pretendohet se është regjistruar edhe në portalet zyrtare të ministrive, përjashtuar ministritë që udhëhiqeshin nga ministra shqiptarë.
Megjithatë në ueb-faqen zyrtare të presidencës ekziston vetëm versioni në gjuhën maqedonase. Në pyetjen pse nuk ka version në gjuhën shqipe, nga kabineti i Presidentit për Portalb cituan vetëm fjalinë (nenin) e amendamentit Kushtetutës, sipas të cilit gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase. Duke anashkaluar kështu fjalinë vijuese, sipas së cilës gjuhë zyrtare është edhe gjuha që e flasin së paku 20% e qytetarëve.
Pas parashtrimit të pyetjes përmes telefonit, nga kabineti i Presidentit kërkuan që e njëjta t’u parashtrohet në mënyrë elektronike, si kërkesë për qasje deri tek informacionet e karakterit publik. Në përgjigjen e kthyer pas 20 ditësh, nga kabineti thanë se pyetja nuk bën pjesë në kërkesat për informacione të karakterit publik.
“Sipas Amendamentit V të Kushtetutës së Maqedonisë në tërë territorin e RM-së dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Në organet e pushtetit shtetëror gjuhë zyrtare e ndryshme nga gjuha maqedonase, mund të përdoret në pajtim me ligj”, thuhet në përgjigjen e kabinetit të Presidentit.
Sekretari gjeneral, Boris Josifovski, citohet të ketë thënë se Presidenti iu përmbahet obligimeve që dalin nga Kushtetuta dhe nga ligji i cituar më lartë.
Por, nga Amendamenti i cituar i Kushtetutës përcaktohet: “Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, siç është përcaktuar me këtë nen”. (Gazeta Express)