“Kam ardhur këtu që përfaqësuesve të universitetit dhe bashkësisë akademike t’i paraqes qëndrimin e qartë të Beogradit se askush nuk do të mundet dhe nuk do të guxoj, derisa të jetë kjo qeveri dhe populli ynë në Kosovë, që të prek në universitetin tonë, pasi është njëra nga shtyllat e ekzistencës sonë”, u tha dje Gjuriq gazetarëve, pas bisedimeve me udhëheqjen e këtij universiteti.
Këto bisedime u organizuan pas reagimit negativ të të punësuarve dhe studentëve të këtij universiteti, për shkak të pretendimeve për një propozim të Gjuriqit, që qeveria e Serbisë t’i shuaj të dhjetë fakultetet e këtij universiteti me seli në pjesën veriore të Mitrovicës. Për këto pretendime, Gjuriq tha se janë pasojë e spekulimeve për riorganizimin e këtij institucioni, me qëllim që të krijohej konfuzion.
Duke i komentuar raportet se qeveria e Kosovës e ka formuar një komision që do të merret me çështjen e këtij universiteti, Gjuriq tha se Prishtina nuk duhet të merret me çështjet, që nuk janë kompetencë e saj, raporton agjencia Beta.