×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Gjykata merr vendim për serbin që dyshohet se kreu krime lufte në Kamenicë

    Insajderi
    08 March 2023 - 20:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar një muaj paraburgim serbit të dyshuar për krime luftë në Kamenicë gjatë viteve 1998/1999.

    Paraprakisht, prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka njoftuar se në bashkëpunim me Njësinë për Hetime të Krimeve të Luftës në kuadër të Policisë së Kosovës, ka arrestuar sot të pandehurin me inicialet Z.A., nacionalitetit serb. I pandehuri Z.A., dyshohet se gjatë periudhës së luftës në Kosovë, konkretisht në muajin mars 1999, në stacionin policor në Kamenicë në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe, i uniformuar dhe armatosur, fillimisht kishte rrahur të dëmtuarin me inicialet B.M, me shufra gome dhe shqelma, duke e torturuar në mënyrë çnjerëzore, maltretuar dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda, trauma dhe pasoja në shëndet dhe duke e kanosur seriozisht për jetë për një orë e gjysme, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe protokolleve shtesë.

    “Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Z.A e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji. Sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, në kuptim të nenit 184 paragrafi 1 nën – paragrafi 1.1 e nën – paragrafi 1.2 pika 1.2.1 e 1.2.2 dhe nën – paragrafi 1.3 të KPPRK”, thuhet në njoftimin e Gjykatës .

    Njoftimi i plotë:

    Prishtinë, 08 mars 2023 – Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e paraburgimit në çështjen penale hetimore të të pandehurit Z.A, i dyshuar për veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ.

    Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Z.A e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.

    Sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, në kuptim të nenit 184 paragrafi 1 nën – paragrafi 1.1 e nën – paragrafi 1.2 pika 1.2.1 e 1.2.2 dhe nën – paragrafi 1.3 të KPPRK.

    Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark