Insajderi
Lajme

Gjykata ndaloi procedurën dhe lidhjen e kontratës, Komuna e Gjakovës e nënshkroi dhe nisi zbatimin

Insajderi
09 October 2026 - 14:40
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Gjykata ndaloi procedurën dhe lidhjen e kontratës, Komuna e Gjakovës e nënshkroi dhe nisi zbatimin
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Gjykata Administrative, përmes aktvendimit AP.nr.345/2026, kishte pezulluar zbatimin e vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) dhe kishte ndaluar vazhdimin e procedurës së prokurimit dhe lidhjen e kontratës për aktivitetin “Mirëmbajtja higjienike e objekteve komunale”, me numër prokurimi 632-25-7299-2-1-1, të Komunës së Gjakovës, raporton portali Front Online.

Aktvendimi i Gjykatës Administrative

Në aktvendim ishte pezulluar zbatimi i vendimit të OSHP-së që lidhej me këtë aktivitet të prokurimit, ndërsa ndalesa përfshinte ndërmarrjen e veprimeve për vazhdimin e procedurës dhe lidhjen e kontratës deri në përfundimin e çështjes.

Por, pavarësisht kësaj, dokumentacioni dhe përgjigjet zyrtare të Komunës së Gjakovës tregojnë se kontrata për këtë aktivitet të prokurimit është nënshkruar më 31 korrik 2026, ku në të njëjtën datë ka filluar edhe zbatimi i saj.

Pra, bazuar në dokumentet e siguruara nga portali shihet se komuna fare nuk e ka përfillur vendimin e Gjykatës për këtë çëeshtje, raporton portali Front Online.

Komuna thotë se kontratën e nënshkroi duke u bazuar në vendimin e OSHP-së

Portali e ka pyetur komunën e Gjakovës pse kishte proceduar me nënshkrimin e kontratës, ndonëse Gjykata Administrative kishte ndaluar vazhdimin e procedurës së prokurimit dhe lidhjen e kontratës.

Në përgjigjen e saj, Komuna ka thënë se veprimin e kishte ndërmarrë duke u mbështetur në vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit.

“Komuna e Gjakovës ka nënshkruar kontratën në bazë të vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), me nr. 2026/0310 të datës 14.07.2026, përmes të cilit është vërtetuar Njoftimi mbi Vendimin e Autoritetit Kontraktues (AK) të Komunës së Gjakovës lidhur me aktivitetin e prokurimit”, thuhet në përgjigjen e dërguar nga drejtori i zyrës së prokurimit Faton Gutaj.

Kontrata u nënshkrua më 31 korrik

Gjithashtu portali Front Online ka kërkuar nga komuna të tregojë datën kur e kishte pranuar aktvendimin e Gjykatës Administrative dhe datën kur ishte nënshkruar kontrata me operatorin ekonomik. Komuna është përgjigjur se nuk kishte pranuar asnjë vendim nga Gjykata lidhur me këtë çështje.

“Komuna e Gjakovës nuk ka pranuar asnjë vendim nga Gjykata lidhur me këtë çështje. Kontrata është nënshkruar më datë 31.07.2026”, thuhet në përgjigje.

Sipas kësaj përgjigjeje, më 31 korrik 2026 është bërë nënshkrimi i kontratës, ndërsa Komuna deklaron se deri në atë moment nuk kishte pranuar aktvendimin e Gjykatës.

Kontratën e nënshkroi kryetari dhe Zyrtari Përgjegjës i Prokurimit

Gazeta ka kërkuar të dijë edhe se kush e kishte autorizuar dhe kush e kishte nënshkruar kontratën në emër të Komunës.

Në përgjigjen e saj, Komuna ka bërë të ditur se kontrata është firmosur nga zyrtari Përgjegjës i Prokurimit dhe Kryetari i Komunës së Gjakovës.

“Kontrata është nënshkruar nga Zyrtari Përgjegjës i Prokurimit dhe Kryetari i Komunës së Gjakovës, në emër të Komunës, si dhe nga personi i autorizuar i Operatorit Ekonomik fitues”, ka deklaruar Komuna. Komuna është pyetur edhe mbi bazën ligjore mbi të cilën kishte konsideruar se mund të procedonte me kontratën përderisa aktvendimi i Gjykatës ndalonte vazhdimin e procedurës dhe lidhjen e saj.

Edhe në këtë përgjigje Komuna i është referuar vendimit të OSHP-së nr. 2026/0310.

“Meqenëse Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) është organi kompetent dhe më i lartë për shqyrtimin e procedurave të prokurimit publik, baza ligjore për veprimet e ndërmarra nga Komuna e Gjakovës ka qenë Vendimi i lartcekur i OSHP-së, nr. 2026/0310”, thuhet në përgjigje.

Zyra e Prokurimit dhe Zyra Ligjore, sipas Komunës, nuk kishin dijeni

Gjithashtu Front Online ka kërkuar të dijë nëse Zyra e Prokurimit dhe Zyra Ligjore e Komunës kishin qenë në dijeni të aktvendimit të Gjykatës Administrative përpara nënshkrimit të kontratës dhe nëse kishin dhënë ndonjë rekomandim. Komuna është përgjigjur se këto dy zyra nuk kishin qenë në dijeni të aktvendimit para nënshkrimit.

“Jo, Zyra e Prokurimit dhe Zyra Ligjore e Komunës nuk kanë qenë në dijeni të aktvendimit të Gjykatës para nënshkrimit të kontratës. Për këtë arsye, nuk ka pasur asnjë rekomandim apo qëndrim të tyre lidhur me këtë aktvendim para nënshkrimit të kontratës”, thuhet në përgjigje.

Komuna ka konfirmuar se zbatimi ka nisur menjëherë më 31 korrik 2026.

“Zbatimi i kontratës ka filluar që në ditën e nënshkrimit të saj, më datë 31.07.2026”, thuhet në përgjigjen zyrtare. Sa i përket pagesave, Komuna nuk ka dhënë në përgjigje shumën e mjeteve të paguara deri në atë moment. Ajo ka treguar se pagesat autorizohen çdo muaj nga Drejtoria për Punë të Përgjithshme dhe Administrative.

“Sa i përket kryerjes së pagesave ndaj Operatorit Ekonomik pas nënshkrimit të saj, pagesat autorizohen çdo muaj nga Drejtoria për Punë të Përgjithshme dhe Administrative, në përputhje me procedurat përkatëse”, ka deklaruar Komuna.

Në përgjigjen e dërguar nuk është specifikuar shuma e pagesave të realizuara ndaj operatorit ekonomik.

Komuna është pyetur edhe se kush do të mbajë përgjegjësi institucionale nëse konstatohet nga organet kompetente se kontrata është nënshkruar në kundërshtim me masën e përkohshme të Gjykatës Administrative.

Komuna ka përsëritur se në momentin e nënshkrimit nuk kishte qenë në dijeni të aktvendimit. “Në momentin e nënshkrimit të kontratës, Komuna e Gjakovës nuk kanë qenë në dijeni të aktvendimit të Gjykatës Administrative”, thuhet në përgjigje.

Sa i përket përgjegjësisë, Komuna ka deklaruar se ajo do të përcaktohet nga institucionet kompetente nëse konstatohet se kontrata është nënshkruar në kundërshtim me masën e Gjykatës.

“Nëse organet kompetente konstatojnë se kontrata është nënshkruar në kundërshtim me masën e përkohshme të Gjykatës, përgjegjësia do të përcaktohet nga organet kompetente, në pajtim me kompetencat dhe përgjegjësitë e përcaktuara me legjislacionin në fuqi”, thuhet në përgjigjen e Komunës. 


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark