Gjyqtarët në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC) kanë lëshuar urdhër-arreste për kryeministrin Benjamin Netanyahu, Yoav Gallant, ish-ministrin e mbrojtjes të Izraelit, si dhe komandantin ushtarak të Hamasit, Mohammed Deif.
Siç raporton BBC, në një deklaratë u tha se dhoma paragjyqësore kishte hedhur poshtë ankesat e Izraelit ndaj juridiksionit të gjykatës dhe kishte lëshuar urdhër arrest për Benjamin Netanyahu dhe Yoav Gallant, përcjell Insajderi.
Urdhër arrest gjithashtu ësthë lëshuar edhe për Mohammed Deif, megjithëse ushtria izraelite ka thënë se ai u vra në një sulm ajror në Gaza në korrik.
Gjykatësit thanë se kishte “arsye që të tre të mbanin “përgjegjësi penale” për krimet e dyshuara të luftës dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës mes Izraelit dhe Hamasit. Si Izraeli ashtu edhe Hamasi i kanë hedhur poshtë akuzat.
Tani do t’i mbetet 124 vendeve anëtare të ICC-së – të cilët nuk përfshijnë Izraelin apo aleatin e tij, SHBA’në – të vendosin nëse do të zbatojnë ose jo urdhëresat.
Në maj, prokurori i ICC-së, Karim Khan, kërkoi urdhërarrest për Netanyahu, Gallant, Deif dhe dy liderë të tjerë të Hamasit, të cilët janë vrarë që atëherë, Ismail Haniyeh dhe Yahya Sinwar.
Çështja e prokurorit kundër tyre rrjedh nga ngjarjet e 7 tetorit 2023, kur persona të armatosur të Hamasit sulmuan Izraelin jugor, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke marrë 251 të tjerë në Gaza si pengje.
Khan akuzoi liderët e Hamasit për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, duke përfshirë shfarosjen, vrasjen, marrjen e pengjeve, përdhunimin dhe torturën.
Për udhëheqësit izraelitë, akuzat përfshinin sulme të qëllimshme ndaj civilëve dhe përdorimin e urisë si armë lufte, si dhe shfarosje dhe vrasje. /Insajderi.org/