Insajderi
Lajme

Gjykata shpall të pafajshëm Behar Mjekiqin për akuzat për dhunë në familje

Insajderi
08 January 2026 - 12:01
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Gjykata shpall të pafajshëm Behar Mjekiqin për akuzat për dhunë në familje
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Më 31 mars të vitit 2023, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj hoxhës Behar Mjekiqi. Ai akuzohej për kryerjen e veprës penale dhunë në familje.

Prokuroria sqaron se rreth dy vite më parë, në ditën kritike, Mjekiqi kishte filluar t’ia mbledhë viktimës gjërat personale me qëllim që ta largonte nga shtëpia. Kur ajo kishte marrë telefonin për t’i kontaktuar familjarët e saj, i njëjti ia kishte tërhequr atë me dhunë, duke ia pamundësuar komunikimin.

Situata kishte eskaluar deri në dhunë fizike. Përveç goditjeve, sipas aktakuzës, ai e kishte kapur viktimën për flokësh dhe për krahu, e kishte tërhequr nga dhoma e gjumit drejt korridorit dhe më pas e kishte përplasur në dysheme.

Sipas deklarimeve të viktimës, ajo vazhdimisht kishte kërkuar dhe kishte tentuar të largohej nga shtëpia, por ishte penguar me forcë. Pas daljes nga shtëpia, E.J. ka thënë se ka kontaktuar menjëherë Policinë e Kosovës dhe ka kërkuar ndihmë. Ajo është dërguar për ekzaminim mjekësor, ku janë konstatuar lëndime trupore.

Ndërkaq, i pandehuri Mjekiqi në deklarimet e tij kishte mohuar përdorimin e dhunës fizike, duke pretenduar se kishte vepruar vetëm për ta “qetësuar” situatën.

Mbrëmë, në një paraqitje televizive, Mjekiqi ka prezantuar një dokument, për të cilin ka deklaruar se është Aktgjykim i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i datës 06.01.2025, në bazë të të cilit ai është liruar nga akuza.

Lidhur me këtë rast, Mjekiqi ka deklaruar se publikimi i pretendimeve të E.J. nuk e kanë penguar.

“Në raport me Zotin jam i pastër. Në raport me nanën, gruan, djalin, familjen dhe shoqërinë jam i pastër”, ka deklaruar ai.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark