Gjykata Themelore në Ferizaj ka dënuar të hënën tre persona që akuzohen se në bashkëpunim kanë mundësuar prostitucion, kanë kryer shpëlarje parash bazuar në Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit.
I pandehuri i parë, A.A, është shpallur fajtor dhe është dënuar me burg në kohëzgjatje prej gjashtë vite dhe dënim me gjobë në shumë prej 50 mijë euro; i pandehuri I.R, është gjykuar me dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej tre vite e gjashtë muaj si dhe dënim me gjobë në shumë prej 29 mijë eurove; si dhe i pandehuri A.Xh, është dënuar me burgimi në kohëzgjatje prej tre vite e gjashtë muaj dhe dënim me gjobë në shumë prej 20 mijë eurove, njofton kjo gjykatë.
Po ashtu, gjykata ka vendosur për konfiskim në mënyrë të përhershme të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme, të të pandehurit A.A, I.R dhe A.Xh, meqë është vërtetuar se është dobi pasurore e fituar nga kryerja e veprave penale të shpallur fajtor, vlera e të cilave është mbi 1.5 milion euro, dhe atë nëntë vetura të tipit VË, dy vetura të tipit BMW, e po ashtu dy banesa në Ferizaj.
Gjithashtu, janë konfiskuar edhe një parcelë toke në fshatin Babush dhe një në Brezovicë, motelin Nata në fshatin Prelez të Muahxherëve, si dhe e tërë shuma e depozituara në xhirollogaritë bankare të të pandehurve.
Të pandehurit akuzohen se nga muaji shkurt 2005 deri në maj 2012, në bashkëkryerje kanë organizuar rrjetin e prostitucionit në një motel në fshatin Prelez i Muhaxherëve – Komuna e Ferizajt.
Hotekli ka punuar me emra të ndryshëm, dhe me pronar të ndryshëm ashtu që organizimi është bërë në atë mënyrë që të pandehurit u kanë dërguar të holla femrave në Ukrainë, e të cilat pasi që janë regjistruar në Kosovë kinse punojnë në cilësinë e kamerierëve, kanë ushtruar veprimtarinë e prostitucionit, me çka ka rezultuar që të pandehurit kanë përfituar një shumë të madhe parash, njofton Gjykata Themelore e Ferizajt përmes një komunikate për media.
Këto mjete i kanë konvertuar në blerjen e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme përkatësisht duke bërë shpëlarjen e këtyre parave nga veprimtaria e jashtë ligjshme”