Insajderi
Lajme

Gjykata urdhëron Policinë të sjellë me forcë në seancë Xhelal Sveçlën, Fitore Pacollin dhe Salih Zybën

Insajderi
29 October 2025 - 16:14
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Gjykata urdhëron Policinë të sjellë me forcë në seancë Xhelal Sveçlën, Fitore Pacollin dhe Salih Zybën
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kanë mbetur vetëm edhe dy ditë që urdhëresa për sjellje me detyrim në Gjykatë të ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të ekzekutohet nga Policia e Kosovës.

Kjo urdhëresë është ende aktive, e konfirmoi përsëri për media zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

“Referuar kërkesës tuaj për informata ju njoftojmë se në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm Penal, është duke u zhvilluar procedura penale kundër të pandehurve, D.M., XH.S., S.Z., dhe F.P.D., për shkak që secili veç e veç kanë kryer veprën penale Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm, nga neni 375 paragrafi 1 dhe veprës penale Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare nga neni 409 paragrafi i KPRK-së,” deklaroi Gashi.

“Në seancën e shqyrtimit gjyqësor të datës 16.09.2025, të pandehurit F.P.D., S.Z., dhe XH.S., edhe pse ishin ftuar me procesverbalin e seancës së shqyrtimit paraprak, të njëjtit kanë munguar në seancë, ndërsa mungesën nuk e kanë arsyetuar. Gjyqtari i kësaj çështje penale, Sabit Sadikaj, bazuar në një gjendje të tillë të fakteve, jashtë seancës me datë 18.09.2025 ka lëshuar Urdhëresë për sjellje me detyrim kundër të pandehurve F.P.D., S.Z., dhe XH.S., dhe ka urdhëruar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë veprimet e duhura, në mënyrë që të mund të ndërmerren veprimet e mëtejme procedurale nga gjykata dhe të vendoset lidhur me këtë çështje penalo-juridike,” shtoi ajo.

“Urdhëresën do ta ekzekutojë Policia e Kosovës, ashtu që tre të pandehurit duhet të sillen në gjykatë me datë 31.10.2025, në ora 10:00,” konfirmoi më tej zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark