×
  • Lajme
  • Insajderi

    Gjykimi në Hagë – Avokati amerikan i Thaçit ka disa fjalë për kryeministrin Kurti

    Insajderi
    08 May 2022 - 21:22

    Avokati amerikan i ish-presidentit, Hashim Thaçi, Pierre Prosper ka folur për InDoks për gjykimin që po i bëhet ish-presidentit të Kosovës.

    Prosper në deklarimin e tij përmendin edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Sipas tij është e nevojshme që edhe Kurti të angazhohet në mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK, të cilën Haga po e akuzon si ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’.

    “Ne jemi të kënaqur që ai (Albin Kurti) po angazhohet që po fillon ta edukojë veten se çfarë po ndodh këtu sepse ky rast është më i madh se individët. Pra, se ky rast është për Kosovën. Fakti që UÇK-ja po quhet organizatë kriminale, e rëndësishme është që qeveria dhe populli i saj i kushton vëmendje dhe konkluzioneve nëse ky është një proces i drejtë. Shpresojmë që kryeministri, parlamenti dhe populli t’i kushtojnë vëmendje dhe të fillojnë të shprehen duke u bazuar në të kuptuarit e tyre se çfarë po ndodh”, tha avokati mbrojtës i Thaçit për InDoks.

    Gjatë bisedës ai foli edhe për atë se si ra në kontakt me ish-presidentin, Hashim Thaçi.

    “Fillova të isha i përfshirë me presidentin Thaçi kur ai ishte ende në detyrë realisht, ai përmes kontakteve të tjera më kontaktoi për të parë nëse mund ta ndihmoja atë në atë kohë në intervistat e tij para Prokurorisë Speciale dhe kjo u kthye rreth shkurtit të vitit 2020. Ne filluam të kontaktonim me Prokurorinë në atë kohë”, deklaroi ai.

    Kujtojmë se para se të përfshihej në këtë proces si avokat, Prosper ka qenë i përfshirë edhe në shumë tribunale ndërkombëtare. Përfshirë edhe atë për krime në Ish-Jugosllavi dhe procesin kur nga Serbia në Hagë u soll Sllobodan Millosheviçi.

    “Po në fakt kur isha në qeveri në SHBA kam luajtur rol aktiv në punën për sjelljen e Millosheviqit në Hage dhe një herë në Hage kam qenë i përfshirë dhe përgjegjës për qeverinë e SHBA-së në mbështetjen e përpjekjeve për ta sjellë Millosheviçin para drejtësisë”, tha ai.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

    Çdo kërkesë e tyre deri tani për t’i liruar nga paraburgimi është refuzuar.

    Dokumentari i plotë InDoks | Gjykata anti-UÇK:

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark