Komisioni Evropian, qeveria ligjvënëse e BE, dhe Italia tashmë një kohë të gjatë po zhvillojnë debat mbi planet financiare të Romës për vitin 2019, pasi qeveria e re italiane vendosi ta rrisë konsumin publik në vitet e ardhshme.
Në planet e saja, Roma ka thënë se do ta rrisë deficitin publik në 2,4 për qind të GDP-së, tri herë më tepër prej asaj që ka premtuar qeveria e mëparshme. Mirëpo, duke marrë parasysh të gjitha politikat e reja të cilat Roma dëshiron t’i zbatojë, Komisioni Evropian ka kumtuar se deficiti italian në vitin 2019 në të vërtet do të jetë 2,9 për qind, në kufi të BE-së prej 3 për qind.
Në vitin 2020, parashihet se deficiti shtetëror do të arrijë 3,1 për qind të GDP-së, ka pretenduar Komisioni Evropian, duke paralajmëruar se rreziqet që lidhen me reagimet tregtare potencialisht mund t’i përkeqësojnë këto parashikime.
Komisioni Evropian nuk pajtohet me shpenzimet të cilat Roma po i planifikon vitin e ardhshëm dhe ka kërkuar nga Italia që deri më 13 nëntor ta dorëzojë propozimin e ri të buxhetit. Mirëpo, ministrat pretendojnë se nuk do t’i ndryshojnë planet e tyre ekonomike.
Duke folur për gazetarë, njeriu i parë i Komisionit Evropian Pierre Moscovici ka thënë: “Duam që Italia të mbetet ashtu si është, vend në zonën e euros, nuk ka ardhmëri për Italinë jashtë zonës së euros, nuk ka ardhmëri për Evropën pa Italinë”.
Moscovici gjithashtu ka shpjeguar se diferenca në parashikimet e deficitit në mes të Romës dhe Brukselit është pasojë e projeksionit të rritjes më të ulët dhe vlerësimit të shpenzimeve më të larta nga ana e Komisionit. “Vlerësimet tona janë më të kujdesshme”, ka thënë ai.
Brukseli pret që GDP-ja italiane të bjerë në 1,1 për qind në vitin 2018 nga 1,6 për qind të vitit 2017. Në të ardhmen, Brukseli parashikon rritje nga 1,2 në 1,3 për qind në vitet 2019 dhe 2020./Insajderi.com.