Insajderi
Lajme

Gojani: Raporti për hetimet mbi importin e energjisë do të shqyrtohet së shpejti në Bord të ZRRE-së

Insajderi
24 November 2026 - 14:05
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Gojani: Raporti për hetimet mbi importin e energjisë do të shqyrtohet së shpejti në Bord të ZRRE-së
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Prokuroria Speciale ka kërkuar informacione nga Zyra e Rregullatorit për Energji, lidhur me importin e energjisë elektrike dhe dyshimet për manipulim të çmimeve.

Këtë e ka bërë të ditur kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Driton Gojani, gjatë raportimit të sotëm para Komisionit për Ekonomi, shkruan Insajderi.

Gojani ka konfirmuar se Prokurorisë i është dërguar edhe drafti i raportit të hetimeve për importin e energjisë elektrike, i cili është përfunduar që në muajin mars të këtij viti, por ende nuk është shqyrtuar nga Bordi.

Ai ka paralajmëruar se raporti do të trajtohet në një nga mbledhjet e ardhshme, duke premtuar shqyrtimin e tij sa më të shpejtë.

“Pjesa e raportit do të shqyrtohet në kohën më të shpejtë të mundshme në Bord”, ka deklaruar Gojani.

Çështja e këtij raporti është ngritur edhe më herët, pasi ZRRE-ja është kritikuar për vonesat në trajtimin e gjetjeve të hetimeve për importin e energjisë elektrike.

Sipas raportimeve të Buletinit Ekonomik, raporti përmban gjetje për manipulim të çmimit të energjisë së importuar, ndërsa në mbledhjet e Bordit është diskutuar vazhdimi i licencave për kompanitë “Noa Energy Trade” dhe “EFT”, të cilat përmenden në këtë kontekst.

Në mbledhjen e fundit, shqyrtimi i aplikacioneve të këtyre dy kompanive ishte shtyrë, pasi Gojani e kishte mbyllur mbledhjen kur kishte ardhur radha për trajtimin e tyre.

Ndërkaq, ushtruesi i detyrës së drejtorit menaxhues të ZRRE-së, Astrit Saraqini, kishte deklaruar se vazhdimi i licencave është çështje administrative dhe se hetimet e Prokurorisë nuk ndikojnë në këtë proces pa një vendim nga organet e drejtësisë.

Vonesa në trajtimin e raportit të hetimeve nga ZRRE-ja është lidhur edhe me rrezikun e pengimit të një hetimi rajonal për Kosovën, të paralajmëruar nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë që në vitin 2025.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark