Dy persona janë arrestuar në Prishtinë, nën dyshimin se kanë kryer një grabitje ndaj tre shtetasve të huaj gjatë ditës së djeshme.
Lajmi është bërë i ditur nga Policia e Kosovës, e cila njofton se të arrestuarit janë N.K., 26 vjeç, dhe A.K., 26 vjeç, të dy shtetas të Republikës së Kosovës.
Sipas policisë, gjatë arrestimit tek të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar sendet, si dhe paratë që dyshohet se janë grabitur nga viktimat.
Në njoftimin zyrtar thuhet se arrestimi i tyre u bë falë veprimeve intensive hetimore të ndërmarra nga Sektori i Hetimeve të Kryeqytetit, në bashkëpunim me njësitë e Stacionit Policor Jugu, të cilat arritën t’i identifikojnë dhe t’i arrestojnë në kohë të shpejtë personat e dyshuar.
Me vendim të prokurorit të shtetit, pas intervistimit, N.K. dhe A.K. janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar.