Gjyqtari Gramoz Shala mori gjithë vëmendjen e xhiros së 26-të së Superligës së Kosovës. Shala ishte gjyqtari kryesor në derbin Gjilani – Llapi, e cila përfundoi me rezultatin baras 1:1. Me të përfunduar ndeshja, kryetrajneri i Llapit, Tahir Batatina, në intervistën pas ndeshjes shprehi pa kënaqësinë tij të madhe ndaj Shalës dhe deklaroi se ai më nuk do të mundet të jetë i deleguar në ndeshjet e skuadrës së tij.
Edhe nga taborri vendës, u shprehën pa kënaqësitë e tyre ndaj disa vendimeve të Shalës.
“Na minuta e parë u vërejt një arbitër që se meriton me qenë në Superligë, Gramos Shala duhet me i ardhë marre. Ai është ardhë me çdo kusht me na mposht, gjithë ata kartonë pa nevojë. Këto pikë na i mori Gramos Shala, jo Gjilani. Çdo kontakt me topin ka qenë faull. Këto pikë Gramosi t’i çon te shtëpia, sa të jam unë Gramos Shala nuk ka me referuar te Llapi. Marre çka ka ba. Nuk na ka lënë me lu futboll. Djemtë kanë bo maksimumin, Gramosit i them që Llapin munet me pa në TV, ma me referu jo” – ishte deklarata e Batatinës me të përfunduar ndeshja.
Po ashtu, Llapi edhe përmes faqes së tyre në Facebook ka reaguar duke e publikuar raportin e ndeshjes me titullin “Gramos Shala 1:1 Llapi”.
Megjithatë, as klubi i SC Gjilanit dhe trajneri i skuadrës, Ismet Munishi nuk kanë qëndruar duarkryq duke u ankuar ndaj Shalës.
Trajneri Munishi ankesën e bëri në rrjetin social Facebook, duke publikuar fotografi në të cilën shihet futbollisti i Llapit duke prekur topin me duar.
Sipas tij dhe Gjilanit, do të duhej të ishte akorduar penallti.
Gjatë ditës së sotme pritet që nga komisioni përkatës i gjyqtarëve të mblidhen të gjitha provat dhe do të bëhet analiza e ndeshjes.
“Insporti” ka kontaktuar me trajnerin Tahir Batatina, i cili ka konfirmaur se klubi i Llapit tashmë ka bërë ankesën në Komisionin e Delegimeve të Gjyqtarëve, për paraqitjen e Gramoz Shalës.
“Po kemi bërë ankesën si klub. Që komisioni të marrë të gjitha rastet që ne si klub mendojmë se janë në dëm të Llapit. Fundit i fundit, komisioni le ti vlerëson, ne mund të pretendojmë gjithçka, por komisioni është ai që vendos gjithçka. Të vlerësoj se gabimet a ishin të qëllimshme apo jo. Ata duhet të japin fjalën e fundit”.
Mbetet të shihet se a do të dënohet gjyqtari Shala apo do të rikthehet në Ligën e Parë për xhiron e radhës.
Shala, nga qyteti i Pejës, është një gjyqtar me përvojë të madhe në futbollin e Kosovës, në këtë sezon është deleguar më shumë në ndeshjet e Ligës së Parë se sa në Superligë.
Gjyqtari kryesor në këtë takim ishte Gramos Shala, me asistentët, Granit Hyseni dhe Lumturie Muhadri. Në VAR ishte Burim Jahmurataj.
Gjilani vazhdon të mbetet në vendin e dytë me 48 pikë, tri më pak se Ballkani, kurse Llapi në anën tjetër ka 41 pikë në pozitën e katër. /insporti.com/