Gramoz Vokrri ka akuzuar Kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi se ai cakton gjyqtarët për ndeshjet e Superligës, punë që nuk i takon ta bëjë.
Vokrri ishte i ftuar mbrëmë në emisionin “Dueli Sportiv” në Radio Televizionin Dukagjini, në të cilin foli rreth kandidaturës së tij dhe problemeve që ka FFK.
Sipas Vokrrit, Agim Ademi vendos vet se cilë gjyqtarë duhet të ndajnë drejtësinë në ndeshje të caktuara, ani pse këtë punë duhet ta bëjë Komisioni për delegimin e gjyqtarëve.
“Shumë jo transparente. Kemi raste me gjyqtarët, kemi klube të cilave iu referon vetëm një gjyqtar tri katër ndeshje rresht, gjë që është e plotësisht e pakuptimtë. Kemi gjyqtarë me stemë të UEFA-s e FIFA-s të cilët nuk delegohën fare, por në të njëjtën kohë ftohen nga UEFA për të referuar ndeshje ndërkombëtare. Sistemi i delegimit bëhet nga kryetari drejtpërdrejt, këto gjëra janë plotësisht të papranueshme, nuk po dihet si shpërndahet klubet. Nuk ka transparencë se sa para i takojnë një klubi e sa një tjetëri”, deklaroi Vokrri, transmeton Insporti.
Ai po ashtu shpjegoi edhe rolin e FFK-së që ka, e që sipas tij është vetëm një organ mbikqyrës i futbollit.
“Federata është organ mbikqyrës i futbollit e nuk duhet të jetë nënë për dike e njerk për dike tjetër”, përfundoi deklaratën e tij, transmeton Insporti.com..
Vokrri ka dorëzuar 16 nënshkrime të premten e kaluar dhe pritet të jetë kundërkandidati i vetëm i Agim Ademit për zgjedhjet e gjashtë (6) prillit.
Klubet që i dhanë nënshkrimet janë: FC Drita, FC Prishtina, FC Drenica, FC Malisheva, FC Ulpiana, KF Trepça ’89, KF Kika, KF Vllaznia, Lidhja Rajonale e Futbollit të Gjakovës dhe Lidhja Rajonale e Futbollit të Gjilanit.
Verifikimi i nënshkrimeve të delegatëve ende nuk është bërë nga komisioni përkatës i FFK-së.
Sipas burimeve të Insportit, verfikimi pritet të bëhët sot gjatë ditës. /Insporti.com/