×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Greqia kërcënon me integrimin e Shqipërisë

    Insajderi
    01 July 2023 - 14:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Greqia paralajmëron pengesa në rrugën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, për shkak të çështjes Beleri. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis, duke folur për mediat greke njoftoi se informoi kolegët e tij në samitin e Këshillit Europian në Bruksel lidhur me arrestimin e kryetari të zgjedhur të Himarës. Lidhur me mbajtjen e tij në burg nga drejtësia shqiptare, shefi i qeverisë së vendit fqinj shprehu zhgënjimin dhe indinjatën e tij në atë që e konsideroi një praktikë në mospërputhje me ligjet e rregullat e BE-së.

    “Ai është ende në burg, sipas nesh me dispozita të dyshimta procedurale dhe këtë e konsideroj një goditje për shtetin e së drejtës dhe për përpjekjen e Shqipërisë për të respektuar rregullat dhe ligjet europiane. Pres që kjo çështje të zgjidhet shumë shpejt. Është një çështje shumë e rëndësishme për ne dhe zgjidhja ose moszgjidhja e saj -uroj për të parën, e theksoj- do të jetë një element i vlerësimit grek të rrugës europiane të Shqipërisë që fillon tani dhe siç ju thashë, bëhet fjalë për një udhëtim të gjatë. Por respektimi i rregullave bazë të shtetit ligjor është një kusht i panegociueshëm për çdo vend që kërkon të bëhet pjesë e familjes europiane”, u shpreh kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis.

    Kryeministri grek vijon paralajmërimin e tij duke theksuar se shpreson që mesazhi i tij të jetë kuptuar plotësisht në Shqipëri. Mitsotakis shton se e respekton plotësisht ndarjen e pushteteve në vendin tonë, por siç tha ai, nuk do lejojë që kjo çështje të kalojë lehtë.

    Qeveria greke ka tentuar të ndërhyjë disa herë në rastin e Fredi Beleri, përmes ambasadës së saj në vendin tonë që ka bërë thirrje të vazhdueshme për lirimin e tij.

    Të martën u betuan anëtarët e Këshillit Bashkiak të Himarës, në një seancë tepër të tensionuar konstituimi, ndërsa kryetari i zgjedhur mbeti në paraburgim duke mos marrë kështu detyrën. Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit, i dyshuar për korrupsion në zgjedhje me shit-blerjen e votave.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark