Insajderi
Insajderi

Greva gati në javën e tretë, këshilltari i Nagavcit flet për Insajderin

Insajderi
17 September 2022 - 16:19
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Greva gati në javën e tretë, këshilltari i Nagavcit flet për Insajderin
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Takimi mes prijësit të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharajt dhe shefit të ekzekutivit, Albin Kurti, i zhvilluar katër ditë më parë, përfundoi pa ndonjë marrëveshje. Disa shkolla në Kosovë kanë filluar mësim por shumica janë duke respektuar grevën. Gazeta Insajderi ka kontaktuar me këshilltarin e ministres së arsimit, Valdrin Dervishaj në lidhje me pritjet që ministria e udhëhequr nga Arbërie Nagavci ka rreth fillimit të vitit të ri shkollor.

Dervishaj tha për Insajderin se nga kjo ministri presin që mësimi të filloj në të gjitha shkollat, gjithashtu që dialogu social të zhvillohet pa presion.

“Presim që sa më parë të fillojë mësimi në të gjitha shkollat si në një pjesë të madhe të komunave dhe dialogu social në çështjet me interes për arsimin të zhvillohet pa presion”, tha Dervishaj për Insajderin.

Tutje, këshilltari ligjor i ministres Nagavci tha se e drejta e shkollimit është e secilit fëmijë dhe nuk bënë të cenohet.

Sipas tij, ka rritje të përditshme të shkollave që po fillojnë procesin mësimor pa presion.

“E drejta në shkollim është e drejtë e secilit fëmijë dhe në asnjë rrethanë nuk ka arsye të cenohet nga askush veçmas në një situatë ku qeveria është e hapur për dialog social. Prandaj, siç po e shihni edhe ju, ka rritje të përditshme të shkollave që po fillojnë procesin mësimor në mënyrë të rregullt pa asnjë presion por në interesin më të mirë të nxënësve përkatësisht fëmijëve”, përfundoi Dervishaj.

Në anën tjetër, Ali Sefaj, përfaqësuesi i Shoqatës Sindikale të Shërbyesve Civile, në një prononcim për Gazetën Insajderi  tha se janë duke pritur ftesë nga qeveria për takim por që ende nuk ka pranuar një të tillë.

“Ne jemi në pritje të ftesës akoma nuk ka diçka konkrete. Nëse nuk do të pranojmë ftesa nga qeveria gjatë këtyre ditëve të vikendit, të hënën këshilli greviste do të ulet dhe të bisedoj se çfarë pritet të ndodhë tutje. Presim nga qeveria që të reflektoj”, tha Sefaj për Insajderin.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark