Grupi Parlamentar i LVV-së pranë krisjes së madhe, dy deputetë ia ‘rrëzojnë’ vendimin Kurtit – Insajderi
×
Insajderi

Grupi Parlamentar i LVV-së pranë krisjes së madhe, dy deputetë ia ‘rrëzojnë’ vendimin Kurtit

Insajderi
10 July 2023 - 16:54
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Eman Rrahmani dhe Visar Korenica e kanë dërguar në një nivel tjetër përçarjen e tyre me Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga shefi i tyre, Albin Kurti.

Dy deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, anëtarë të Komisionit për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Kosovës, ia kanë hedhur poshtë Qeverisë Kurti propozimin për shkarkimin e një anëtareje të OSHP-së.

Rrahmani dhe Korenica kanë votuar kundër propozimit të Qeverisë së Kosovës, të nënshkruar nga kryeministri Albin Kurti, për shkarkimin e Kimete Gashit, anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit, me arsyetimin se ajo kishte nënshkruar një vendim të dëmshëm lidhur me tenderin për insulina.

Qeveria e kishte miratuar në maj të këtij viti propozimin për shkarkimin e Kimete Gashit dhe atë ia kishte proceduar kuvendit.

Megjithatë, propozim-vendimi i qeverisë ka ngecur në komision parlamentar. Aty është ‘rrëzuar’ nga deputetët e tij të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kanë abstenuar në shqyrtimin e propozimit.

Abstenimet e Eman Rrahmanit dhe Visar Korenicës kanë rezultuar në dështimin e miratimit të propozimit të qeverisë.

Rrahmani, në mbledhjen e sotme të Komisionit Parlamentar për Buxhet, ka kërkuar që qeveria ta ndryshojë propozimin. Ka rekomanduar shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Bordit të OSHP-së, e jo vetëm shkarkimin e Gashit.

“Në bazë të konkludimeve që i kemi pasur në këtë komision, edhe sipas deklarimeve të vet qeverisë, është konstatu se përgjegjës janë të gjithë anëtarët e bordit. Dhe, si i tillë, unë mendoj se nuk kemi të drejtë t’i rekomandojmë kuvendit shkarkimin e vetëm një anëtareje të bordit. Kështu që, unë propozoj që qeverisë t’i kërkohet të vijnë të gjithë emrat e atyre që kanë qenë përgjegjës të këtij vendimi mbi të cilin është mbështetur qeveria për shkarkimin e anëtares [Kimete Gashi]”, ka thënë Rrahmani.

Në shqyrtimin e propozimit, ka abstenuar edhe deputetja boshnjake e koalicionit qeverisës, Duda Balje.

Rrahmani, Korenica dhe një pjesë tjetër e deputetëve të LVV-së, të cilët përbëjnë një grup prej mbi dhjetë deputetësh, kanë krijuar një ndasi në Grupin Parlamentar të LVV-së pas procedimit në kuvend nga qeveria të Projekt-Kodit Civil, i cili parasheh lejimin e martesave mes personave të gjinisë së njëjtë.

Ish-deputeti i Vetëvendosjes, tash i pavaruri Haki Abazi, në një intervistë në Radio Televizionin e Kosovës (RTK) javën e kaluar paralajmëroi mundësinë e një tjetër ‘krisje’ brenda grupit të deputetëve të LVV-së nëse qeveria insiston ta procedojë në kuvend sërish, të pandryshuar, Projekt-Kodin Civil.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark