Reformat e qeverisë lokale në Ballkan, kanë pasur shumë ngjashmëri me transferimin e kompetencave nga qeveria qendrore në ato lokale në Britani të Madhe. Kështu thotë shefi i Njësisë së Qeverisë për Informacion Lokal në Britani, Jonathan Carr-West.
Jonathan Carr-West ka bërë një hulumtim në shtetet e Ballkanit – Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, duke krahasuar sistemin e qeverisjes lokale në këto shtete me atë britanik dhe e ka botuar në gazetën e madhe britanike “The Guardian”.
Sipas “The Guardian”, në Britaninë e Madhe, qeverisja lokale perceptohet si e një rëndësie të madhe, pasi që kryen shërbime vitale për qytetarët, duke zhvilluar ekonomitë lokale dhe duke e dëgjuar zërin e qytetarëve që jetojnë në ato vende.
Në vendet e Ballkanit, ndonëse qeveria lokale aspiron t’i bëjë të gjitha këto gjëra, sistemi që është vendosur pas luftërave të viteve të 90-ta, parimisht është i dizajnuar që të krijojë stabilitet etnik dhe politik.
Kjo qartazi ishte një zgjedhje e duhur aso kohe, mirëpo qoi në krijimin e një numri të madh të komunave të vogla.
Kosova ka 38 komuna e ka një popullatë prej 1.8 milionë banorësh, dhe secila prej komunave ka fuqi shumë të vogla.
Kjo qeverisja gjeografike, ka përfunduar duke qenë e mirë dhe efektive në menaxhimin e tensioneve dhe në reprezentimin e identiteteve lokale, por nuk ka qenë aspak efektive në menaxhimin e shërbimeve publike dhe zhvillimin ekonomive lokale.
Megjithatë, tani në të gjithë rajonin e Ballkanit, ka një lëvizje nga vendosja e sistemit politik, në të bërit një sistem politik funksional. Procesi është më i avancuar në Shqipëri, ku nga 373 komuna tani janë reduktuar në 61. Njëjtë qëndron pothuajse edhe Maqedonia. /Insajderi.com