Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fadil Hadergjonaj, ka reaguar me një mesazh falënderimi dhe mobilizimi pas hapjes zyrtare të fushatës elektorale të partisë së tij për zgjedhjet e 7 qershorit.
Hadergjonaj e ka cilësuar pjesëmarrjen e qytetarëve në tubimin hapës si një mesazh të qartë se vendi po kërkon një drejtim të ri politik, duke u rreshtuar kështu krah vizionit të LDK-së.
Sipas tij, masiviteti i treguar dëshmon se qytetarët janë lodhur nga krizat dhe stagnimi disavjeçar.
“Sot, qytetarët i thanë PO Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sot, ata u bashkuan me vizionin e LDK-së dhe e bënë të qartë se Kosova nuk pranon më krizë, bllokadë dhe stagnim. Faleminderit secilit prej jush që u bëtë pjesë e hapjes madhështore të fushatës sonë“, ka thënë Hadergjonaj.
Kandidati i LDK-së ka potencuar se ky vrull i parë është vetëm fillimi i një angazhimi që duhet të vazhdojë shtëpi më shtëpi e lagje më lagje deri në ditën e votimeve, me qëllim që të bindet çdo qytetar se kjo parti mbetet alternativa e vetme zhvillimore për vendin.
“Mbështetja juaj e madhe është forcë dhe motiv për të vazhduar rrugën drejt fitores së 7 qershorit. Ditët që vijnë kërkojnë angazhimin e secilit prej nesh, sepse vetëm bashkë mund ta bindim Kosovën se LDK-ja është alternativa që i duhet vendit. Sot ishim shumë. Nesër do të jemi edhe më shumë. Ndryshimi ka nisur. Bashkohu!”, ka shkruar Hadergjonaj.