1.2 milionë eurot e ndara nga Qeveria e Kosovës për Këshillin Nacional Shqiptar dhe përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, kanë shtuar edhe më përplasjet mes shqiptarëve atje. Janë ngritur dyshimet se janë keqpërdorur. Dyshime këto të cilat kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi me 7 me shkurt të këtij viti i ka deponuar në Prokurori. Ende nuk ka pranuar përgjigje. Në anë tjetër, Kryetari i Këshillit Nacional, Ragmi Mustafi i ka hedhur poshtë krejt këto pretendime. Thotë se Arifi ka probleme personale me të. Insajderi ju sjell versionin e dy palëve.
Shqiprim Arifi ka dhënë detaje më të hollësishme për Insajderin, ka treguar me emra të përveçëm se kush sipas tij janë personat që kanë keqpërdorur me Fondin për Luginën.
“Unë i besoj Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe besoj se kanë motivacionin si dhe dëshmitë e mjaftueshme për të proceduar në periudhë sa më të shpejtë kohore”, u shpreh ai kur u pyet se a është marrë ndonjë përgjigje ende nga prokuroria.
Në krye të këtij keqpërdorimi sipas Arifit qëndron kryetarit i Këshillit shqiptar, këshilltarja e Kurtit, deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë e të tjerë.
“Disa nga personat ndaj të cilëve kemi ngritur padi janë: Ragmi Mustafa-kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar Ardita Sinani – Ish kryetarja e Komunës së Preshevës Shaip Kamberi – Deputet në parlamentin e Serbisë Enkel Rexhepi i punësuar në Këshillin Nacional Shqiptar -KNSH si dhe i afërt me kryetarin e KNSH, Ragmi Mustafi”, ka thënë Arifi.
Përveç krerëve, Arifi përmend edhe të afërm të tyre, madje edhe të ministrit e zëvendëskryeministrit të Qeverisë Kurti
“Alban Alili- i punësuar në Këshillin Nacional Shqiptar -KNSH si dhe i afërt me kryetarin e KNSH, Ragmi Mustafi. BESIM SHABANI- Anëtar i PVD, kandidat për këshilltar në KKSH nga radhët e PVD-së, dhe ish koordinator i Zyrës për Zhvillim Ekonomik Lokal GANI VESELI- Anëtar dhe aktivist i PVD-së, ish drejtor i Shtëpisë së Kulturës Ardit Abullahu – vëllai i gruas së Shpat Aliut, kushëriri I Liburn Aliut”.
“Fisnik Behluli- ish-shef i Kabinetit në qeverisjen e Shaip Kamberit në Bujanoc. Rahim Saliu- këshilltarë politik i Shaip Kamberit, anëtar i ish-kabinetit si dhe anëtar i kryesisë së PVD-së”.
“Fisnik Ahmeti- Pronar i KEKA – Fitness, aktivist dhe anëtar i kryesisë të Partisë për Veprim Demokratik – PVD. Fatos Hyseni- ish anëtar i kabinetit në qeverisjen e Ardita Sinanit, aktivist dhe anëtar i subjektit të partisë PVD. Faton Bislimi – pronar i Ëashington International Affair Institute, mik i liderëve të PVD-së, si dhe kushëri i zv.kryeministrit Besnik Bislimi”, ka deklaruar kryetari i Preshevës.
Për Gazetën Insajderi ka folur edhe Ragmi Mustafi, kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve. Mustafi e ka mohuar në tërësi akuzën e Arifi teksa shprehet i hapur për bashkëpunim me Prokurorinë në rast se gjene diçka.
“Këtë e bën veç me u bë lajm në Kosovë sepse nuk ka asnjë të vërtetët nga ajo çka e thotë e kam demantu 1 milionë herë, e po më duhet vazhdimisht me bë kur po më thirrin gazetarët nga Kosova e po i bije që po jam pjesë e procesit me të”, tha ai.
Mustafi ka përdorur edhe terma ofendues ndaj Arifit duke e cilësuar si gaz i krejt shqiptarisë.
“…Unë sqarohem komplet me Prokurorinë e Kosovës, por nuk po du një budallë, një hajvan, një lop, i cili rastis me qenë kryetar i Preshevës me u bo gazi i krejt shqiptarisë sepse ai qeshtu vazhdimisht po bëhet lajm, qeshtu po do me pas vëmendje e me qenë në qendër të vëmendje për këtë farë pune“, ka thënë ai.
Krejt këto veprime sipas Mustafit, kryetari i Preshevës po i bën për vëmendje.
“Ai po vazhdon të e mbajë këtë temë publike, dmth njëherë dul e bëri një konferencë, prapë një tjetër – shkojë në prokurori, ai po do me mbajtë vetë në qendër të vëmendjes. Mua nuk më duhet hiç kjo lloj vëmendje, mua më duhet në rast se Prokuroria, pretendimet e tij që janë fallc, ai po do me bë lajme prej seneve që janë fallc, prej seneve që sjanë të vërteta. Unë jam shumë i gatshëm për bashkëpunim“, u shpreh ai.
Sipas tij, pretendim i vetëm i Shqipërim Arifit është se “ky është i afërt me këtë”, teksa thekson se në Luginë numri i banorëve është 30 mijë e secili njihet me tjetrin.
Mustafi thotë se Arifi ka probleme personale me të, andaj po nxitë situata të tilla.
“Në Kosovë nuk e kanë përcjell se çka ka ndodh mes meje dhe z.Arifi në të kaluarën. Nuk e kanë përcjell. Unë paraprakisht para se me ja nis me krejt këto, unë kam thënë që ai është budallë, hajvan, lop i cili fatkeqësisht ka ndodhë që me qenë kryetar i Preshevës me votat e kontrabanduara, me blerje e shantazhe që i bën këtu. Shumë e thjeshtë, ai e ka problemin me mua“, potencoi kreu i KNSH-së.
Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve thotë se krejt çka po tenton Shqiprim Arifi të bëjë është ta ndyjë imazhin e Luginës, që njerëzit të thonë “nuk i qojmë paret atje se po i vjedhshin”.
Gazeta Insajderi ka tentuar të bie në kontakt edhe me ish-kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani e deputetin, Shaip Kamberi por të njëjtit deri tani nuk janë përgjigjur.
Qeveria Kurti në nëntor të vitit 2022 ka ndarë 1,242.459.00 euro për Këshillin Nacional Shqiptar dhe përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.
Mjete këto që sipas Arifit janë keqpërdorur brutalisht duke u shpërndarë tek anëtarët e Partisë për Veprim Demokratik, pa u plotësuar kushtet e nevojshme.
/GazetaInsajderi