×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Haliti: Macroni nuk ishte i dehur, dha mesazh të qartë për vizat

    Insajderi
    29 August 2023 - 19:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar se mund të merren masa ndaj Kosovës e Serbisë nëse nuk sillen me përgjegjësi, këtu duke përmendur dhe çështjen e vizave.

    Ai ka thënë se mendon që marrëveshja e Brukselit që njihet si propozimi “franko-gjerman” është rruga e duhur.

    E kjo thirrje e kreut të Francës, për deputetin e PDK-së, njëherit dhe zëvendëskryetar në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Xhavit Halitin është një paralajmërim për Qeverinë e Kosovën.

    Ai thotë se kjo tregon që masat mund të shtohen në rast se nuk i realizojnë kërkesat e Bashkimit Evropian.

    “Paralajmërimi i Presidentit Macron, është një paralajmërim i cili ka për qëllim që t’ua qet në mend Qeverisë së Kosovës, kryeministrit të Kosovës që masat të cilat po kërkonin të hiqen, nuk hiqen por të shtohen në qoftë se nuk i realizojnë kërkesat”, tha ai për Front Online.

    Deputeti Haliti kërkon nga kryeministri Kurti të mos veprojë për t’i penalizuar qytetarët e Kosovës.

    “Pra, për këtë kosovarët në përgjithësi dhe qytetarët e Kosovës nuk kanë nevojë shumë me hulumtu se kush ka faj dhe kush është përgjegjës në qoftëse ndodh kjo. Unë kisha ftuar Qeverinë e Kosovës, kryeministrin në veçanti që mos të veprojë për të mbetur fajtor dhe për ta penalizuar popullin e Kosovës”, tha ai.

    Deputeti Xhavit Haliti thotë se nëse ndodh rishqyrtimi i vizave për Kosovën, atëherë përgjegjësi dihet.

    Ai thotë se mesazhi i presidentit francez Macron duhet të merret me shumë seriozitet ngase ai nuk i ka bërë këto deklarata në gjendje të dehur.

    “Mesazhin nuk e ka bërë kokë më vete, nuk e ka bërë i dehur, por vendet e BE-së, e transmetojnë përmes dikujt që ka ndikim, që mund t’i besohet në atë që i thotë. Shpresoj të mos ndodh, por nëse ndodh, atëherë përgjegjësi dihet se kush janë”, tha ai.

    Ai thotë se Franca ka rëndësi të madhe në BE.

    “Në qoftë se ai futet në procedurë në institucionet evropiane atëherë me siguri që do të varet nga diskutimet në Këshillin Evropian dhe nga vendimet që i marrin, por unë po besoj që zotëri Macron nuk flet siç flasim ne si politikanë të një vendi më të vogël që nuk ka përgjegjësi në arenën ndërkombëtare. Franca është një ndër shtetet kryesore të Bashkimit Evropian, dhe mos të themi që është shteti më i madh në Bashkimin Evropian, është tepër i rëndësishëm”, tha ai.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark