Drejtori sportiv i Dortmundit, Sebastian Kehl, njoftoi se sulmuesi i ri, Sebastian Haler, do të mungojë për disa muaj, ndërsa nisi trajtimin pas diagnostikimit me tumor testikular.
28-vjeçari u transferua nga Ajaxi për më shumë se 30 milionë euro. Por të hënën e shkuar ai nuk u ndie mirë pas stërvitjes dhe pas ekzaminimeve të menjëhershme u zbulua se vuante nga tumori në testikuj.
Data e rikthimit të sulmuesit më të shtrenjtë në historinë e klubit nuk dihet ende, ndërsa Kehl njoftoi se lojtari nga Bregu i Fildishtë do të lihet të luftojë i qetë.
“Sebastiani u operua javën e shkuar. Ne kërkuam durim në atë kohë. Tani po diskutohet terapia. Sebastiani do të mungojë për disa muaj, por kur të kemi një afat më preciz për kohën e rikthimit të tij do ta komunikojmë atë”, tha drejtori sportiv për lojtarin që erdhi për të zëvendësuar Erling Haalandin pas largimit të norvegjezit drejt Manchester City këtë merkato.