Insajderi
Lajme

Hamza i shkruan Osmanit: Emëroni pa vonesë anëtarin e dytë të PDK-së në KQZ, mosveprimi është shkelje kushtetuese

Insajderi
01 April 2026 - 14:49
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Hamza i shkruan Osmanit: Emëroni pa vonesë anëtarin e dytë të PDK-së në KQZ, mosveprimi është shkelje kushtetuese
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, i ka dërguar një letër zyrtare Presidentes së vendit, Vjosa Osmani.

Hamza ka kërkuar që të procedohet pa vonesë me emërimin e anëtarit të dytë të PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Në këtë letër, Kryetari Hamza tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në rastin KO81/26 ka sqaruar përfundimisht çdo paqartësi lidhur me këtë çështje, duke konfirmuar se përfaqësimi i PDK-së me dy anëtarë në KQZ është një e drejtë kushtetuese dhe jo çështje interpretimi politik.

Sipas tij, mosveprimi në këtë fazë do të përbënte shkelje të rendit kushtetues dhe do të krijonte precedent të rrezikshëm për funksionimin demokratik të institucioneve në vend.

Në letër, kreu i PDK-së argumenton se bazuar në Kushtetutë dhe në përbërjen aktuale të Kuvendit, ndarja e vendeve në KQZ duhet të garantojë nga një anëtar për secilin grup parlamentar në raundin e parë, ndërsa dy vendet e mbetura në raundin e dytë u takojnë dy grupeve më të mëdha parlamentare, në këtë rast LVV-së dhe PDK-së.

Hamza paralajmëron se çdo interpretim tjetër, që do t’i jepte një partie tre anëtarë në KQZ, do të ishte në kundërshtim me frymën e Kushtetutës dhe me parimin e balancës institucionale.

Ai i bën thirrje Presidentes Osmani që të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke garantuar respektimin e të drejtave të subjekteve politike dhe integritetin e KQZ-së.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark