×
  • Lajme
  • Insajderi

    Haradinaj nga Gjilani: Kam respekt për Vjosën, por unë jam kandidati më i përshtatshëm për president

    Insajderi
    05 February 2021 - 18:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Bartësi i listës zgjedhore të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj sot ka mbajtur tubim elektoral para simpatizantëve të kësaj partie në qytetin e Gjilanit, ku edhe ka shpalosur programin për zhvillim ekonomik.

    Nga aty pretendenti për postin e presidentit thotë se përvoja e tij ka treguar se ai është i duhuri për tu përballur me Serbinë.

    Për kundër-kandidaten për president Vjosa Osmani, Haradinaj tha se ka shumë respekt për të, por për t’u përballur me Serbinë përvoja e tij ka treguar se Serbia nuk mund ta thyejë as atë dhe as Kosovën.

    Haradinaj: Serbia nuk ka arritur të më thyejë as mua dhe as Kosovën

    “Presidenti është nyja e procesit zgjedhor, nuk kemi president, kemi ushtrues detyre. Duhet zgjedhur presidentin. Pa e zgjedhur presidentin nuk mund të krijojmë institucione dhe pa një president të zot e kemi të vështirë t’i kryejmë punët. Kush mund t’i kryejë punët e Kosovës si president? Besoj që duhet fuqizuar Kosovën në planin e brendshëm, duhet rritur sigurinë, ushtrinë, mekanizmat tjerë, duhet anëtarësuar në NATO, pra duhet fituar besimin e aleatëve të sigurisë dhe Amerikës. Por duhet të përballemi me Serbinë, e cila po vazhdon ta bllokojë Kosovën. Deri më tani janë përmendur dy kandidatë. Për Vjosa Osmanin kam respekt si zonjë e intelektuale, si kolege në politik, por për përballje me Serbinë përvoja ime është ndryshe. Historia tregon ndryshe. Kam pasur një jetë në përballje me Serbinë dhe deri sot Serbia nuk ka arritur të më thyejë as mua dhe as Kosovën”, tha ai.

    Haradinaj para simpatizantëve ka shpalosur programin qeverisës për ekonominë me të cilin tha se do të ndalet rënia ekonomike.

    Haradinaj: Kemi plan konkret për stopimin e rënies ekonomike

    “Ne jemi konkret si të ndalim rënien ekonomike, si të gjejmë para të reja. 200 milionë të buxhetit janë në rialookim, të cilat do të shkonin në infrastrukturë, por duhet pritur një vit dhe nuk i humbim projektet për autostradën e Dukagjinit. Ajo pret një vit, por paratë duhet urgjentisht të lëshohen në ekonomi. 100 milionë do t’i marrim nga Fondi për Privatizim. I kemi 100 milionë të paraparë për kredi. Sot ka plot qytetarë që kanë vështirësi të paguajnë ratat dhe ne mund t’i japim pauzë për disa raste dhe t’i marrim përsipër disa prej obligimeve për uljen e interesit”, tha Haradinaj.

    Haradinaj e ka konsideruar të gabuar idenë e disa partive të majta që përmes taksave së shumta të zhvillohet ekonomia, pasi sipas tij një gjë e tillë vetëm sa e dëmton këtë sektor të rëndësishëm.

    Haradinaj: Vendosja e taksave të shumta për bizneset e shkatërron ekonominë

    “Partitë e majta mendojnë se duke iu vendosur më shumë taksa bizneseve, krijohet mirëqenie, por në fakt ashtu shkatërrohet ekonomia. Nëse i rrisim edhe taksat për sipërmarrësit tanë, atëherë e shkatërrojmë ekonominë…Rritja e taksave është gabimi më i madh që mund ta mendojë dikush tash. Është vdekje për ekonominë. Duhet futur para të reja në ekonomi”, tha Haradinaj.

    Pas Gjilanit, Haradinaj është takuar edhe me të rinjtë e Aleancës në Obiliq.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark