×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Harold Bloom: “Lexuesit vetmitarë”

    Insajderi
    29 September 2023 - 16:48
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ajo çka është e trishtueshme sa i përket leximit në mënyrë profesionale është fakti se rrallë ndodh të ndiesh sërish atë mrekullim të dikurshëm që të ngjallte leximi në rini, atëkohë kur librat mbartnin “mrekullimin hazlitian”.

    Mënyra se si lexojmë sot, varet deri diku apo plotësisht nga largësia, qoftë kjo e brendshme apo e jashtme, që ne vendosim në lidhje me universitetet, vendet ku leximi rrallë mësohet si kënaqësi, në kuptimin më të thellë të estetikës së kënaqësisë.

    Hapja e vetvetes kundrejt një përballjeje të drejtpërdrejtë me Shekspirin në kulmin e fuqisë së tij krijuese, sikurse është Mbreti Lir, asnjëherë nuk është e lehtë, në të ri sikurse në pleqëri, dhe prapëseprapë të mos e lexosh në plotninë e vet Mbretit Lir (çka do të thotë pa kurrfarë manteli ideologjik) do të thotë të mashtrosh botërisht vetveten edhe në gjykim edhe estetikisht.

    Një fëmijëri ku pjesën më të madhe të kohës e zë televizori domosdo shpie tek një adoleshencë ku kohën e gllabëron kompjuteri, dhe kësisoj në dyert e universitetit kemi një student që s’ka gjasa ta mirëpresë idenë se nevojitet durim në këtë rrugëtim që s’njeh fund deri në cakun e mbramë: urtinë që është gjithçka.

    Shmangia e këtij rrugëtimi e bjerr aftësinë e leximit, sikurse vetë unin bashkë me të. Keqardhja në këso rastesh s’ka kurrfarë vlere ashtu si zotimet e programet e paskëtajshme të leximit. Gjithçka ende mund të ndryshohet, mund të bëhet prej një lloj elite, gjë që në fakt është e papranueshme, për shumë arsye, të mira e të këqija bashkë. Kjo ngase edhe sot ka akoma lexues vetmitarë, të rinj e të vjetër, kudo, madje edhe në universitete. Nëse kritika shërben për ndofarë gjëje ende në kohën tonë, shërben sepse i drejtohet këtij lexuesi, lexuesi që lexon për vetveten, dhe jo për interesa që me gjasë e tejkalojnë vetveten. /Hejza/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark