×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Harris: Rusia ka kryer krime kundër njerëzimit në Ukrainë

    Insajderi
    18 February 2023 - 14:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris, tha se Shtetet e Bashkuara kanë arritur në përfundimin se Rusia ka kryer “krime kundër njerëzimit” në luftën e paprovokuar kundër Ukrainës, me forcat e saj që kanë ndjekur një sulm “të gjerë dhe sistematik” kundër civilëve në vend.

    Kushtu tha ajo në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, një mbledhje e përvitshme e krerëve të shteteve, zyrtarëve, diplomatëve dhe ekspertëve, e cila po zhvillohet në Gjermani.

    “SHBA-ja ka përcaktuar zyrtarisht se Rusia ka kryer krime kundër njerëzimit”, tha Harris, duke shtuar se veprimet e forcave ruse janë “një sulm ndaj vlerave tona të përbashkëta”.

    Harris përmendi një listë të abuzimeve nga forcat ruse në Ukrainë, duke përfshirë torturën dhe përdhunimin, si dhe bombardimin e një materniteti në Mariupol, që vrau tre persona, në mesin e të cilëve ishte një fëmijë.

    “Le të biem dakord të gjithë: në emër të të gjitha viktimave, të njohura dhe të panjohura, drejtësia duhet të vie në vend”, tha Harris.

    Ajo tha gjithashtu se SHBA-ja do të mbështesë Ukrainën “për aq kohë sa duhet”.

    Mbështetja perëndimore për Ukrainën ka qenë në krye të agjendës në Konferencën e Sigurisë së Mynihut.

    Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha më 18 shkurt se se aleatët duhet të “dyfishojnë” mbështetjen ushtarake për Ukrainën.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, përsëriti thirrjet për aleatët perëndimorë për dërgimin sa më të shpejtë në Kiev të armëve, teksa hapi samitin tre-ditor me lidhje video më 17 shkurt.

    Ai tha se Rusia nuk duhet të lejohet që të blejë kohë për agresionin e saj, derisa forcat ukrainase po përballen me sulme të shumta në të gjithë linjën e frontit.

    “Ne duhet të përshpejtojmë. Ne na duhet shpejtësi – shpejtësi në marrëveshje, shpejtësi në dërgesa…. shpejtësi në vendime për të kufizuar potencialin rus”, tha Zelensky në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

    Në konferencë po marrin pjesë rreth 40 krerë shtetesh, si dhe politikanë dhe ekspertë të sigurisë nga pothuajse 100 vende, si liderët e Francës dhe Gjermanisë, por edhe nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg.

    Gjatë konferencës, kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se mbështetja e shtetit të tij për Ukrainën “është e dizajnuar që të jetë afatgjatë”.

    Ndërkaq, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se është jashtëzakonisht e rëndësishme që aleatët perëndimorë të rrisin ndihmën ushtarake në mënyrë që Ukraina të mund të nisë një kundërofensivë kundër Rusisë.

    Pushtimi rus i Ukrainës – që ka nisur më 24 shkurt 2022 – mbushë një vit javën e ardhshme.REL

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark