Tifo-grupi llapjanë, “Legjendat”, kanë publikuar sot në rrjetin e tyre social punim e hartës që u shpalos mbrëmë në stadiumin “Fadil Vokrri”, hartë kjo për të cilën kishin reaguar mediet malazeze.
Gazeta e njohur malazeze, “Vijesti”, e ka cilësuar “provokim” hartën e shpalosur nga “Legjendat”, duke thënë se për ta ky ishte një “mesazh provokues”.
Në hartën e punuar nga “Legjendat”, komunat me popullsi shqiptare në kuadër të Malit të Zi ishin ngjyrosur me ngjyrë të kuqe, ku poshtë saj në gjuhën angleze shënohej ” mos nxitoni, ju e keni radhën”.
Përpos tifo-grupi llapjanë në pjesën lindore të stadiumit “Fadil Vokrri”, mbrëmë ishin edhe shumë grupe tjera të tifozëve, përfshirë këtu edhe grupe nga Maqedonia e Veriut e Shqipëria, raporton Paparaci.
Sot përmes një postimi në facebook, “Legjendat” kanë pranuar autorësinë e këtij baneri, duke shfaqur disa foto nga punimi i tij.
Llapi nuk arriti rezultat pozitiv mbrëmë kundër Buduçnostit të Podgoricës, duke barazuar me rezultat 2:2, në ndeshjen e zhvilluar në kuadër të fazës së parë kualifikuese për Ligën e Konferencës. /Paparaci.com