×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Haruki Murakami: Pra, për çfarë të shkruaj?

    Insajderi
    13 May 2023 - 20:31
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kur bëj seanca pyetje-përgjigje me të rinj, ata shpesh më pyesin se çfarë të duhet që të bëhesh romancier – çfarë lloj trajnimi, çfarë lloj zakonesh personale. Kjo pyetje duket se ngrihet pavarësisht se ku jam në botë.  Them se tregon se sa shumë njerëz ka që duan të jenë shkrimtarë, të përfshihen në “shprehje të vetes” – por sidoqoftë, është pyetje me kleçkë. Të paktën unë kam vështirësi t’i jap një përgjigje të mirë.

    Kjo sepse unë vetë e kam të vështirë të kuptoj se si kam arritur deri këtu. Nuk e kisha të ndarë mendjen të bëhesha romancier kur isha i ri, as nuk ndoqa një rend hapash për t’u aftësuar – asnjë studim të veçantë, asnjë trajnim, as pirgje me blloqe shënimesh me ushtrime. Si shumë gjëra në jetën time, ngjarjet morën rrjedhën e tyre, duke më marrë mua me vete. Fati luajti një rol të madh në të, gjithashtu. Është disi shqetësuese kur kthej kokën pas tani, por nuk ka mënyrë tjetër për ta parë – ashtu ishte.

    Gjithsesi, kur shoh fytyrat e sinqerta të shkrimtarëve të rinj të ardhshëm që më pyesin se çfarë duhet të bëjnë për t’u përgatitur, nuk mund të them, “nuk ia kam idenë. Thjesht lëri gjërat të marrin rrjedhën e tyre dhe shpreso se Zoti Fat do të të buzëqeshë. Shumë e frikshme kur e mendon kështu”, dhe pastaj kaloj te pyetja tjetër. Kjo do të ishte shumë e ligë. Në fakt, mund të krijonte një situatë të pakëndshme gjatë eventit. Si përfundim, kam tentuar të merrem me këtë çështje dhe të jap një përgjigje disi të duhur.

    Ja ku është, pra.

    Mendoj se detyra e parë e romancierit aspirues është të lexojë mijëra romane. Më vjen keq të filloj me një vëzhgim kaq të zakonshëm, por nuk ka trajnim më thelbësor se ky. Që të shkruash një roman, duhet si fillim ta kuptosh në nivel fizik se si kompozohet. Kjo pikë është po aq e vetëkuptueshme sa shprehja “nuk mund të bësh omletë pa thyer ca vezë”.

    Është veçanërisht e rëndësishme të përpish sa më shumë romane sa mundesh ndërkohë që je ende i ri. Çdo gjë që mund të të kapin duart – romane të shkëlqyer, romane jo-dhe-aq-të-shkëlqyer, romane koti, nuk ka rëndësi (aspak!) për sa kohë që vazhdon të lexosh. Thith sa më shumë histori sa mundesh fizikisht. Prezantoje veten me shumë shkrime të shkëlqyera. Gjithashtu me shumë shkrime mediokre. Kjo është detyra jote më e rëndësishme. Përmes kësaj do të zhvillosh muskujt bazë prej romancieri. Ndërto themelet e tua. Bëji të fortë ndërkohë që ke kohë për të harxhuar dhe për sa kohë i ke sytë mirë. Të shkruarit është i rëndësishëm gjithashtu, besoj, por mund të vijë më vonë – nuk është nevoja të nxitosh.

    Pastaj, para se të fillosh të shkruash gjërat e tua, bëje zakon t’i shikosh gjërat në më shumë detaje. Vëzhgo çfarë po ndodh rreth teje dhe njerëzit që takon nga sa më afër dhe sa më thellë të mundesh. Reflekto mbi atë që sheh. Kujto, ama, se të reflektosh nuk do të thotë të nxitosh për të përcaktuar të drejtat dhe gabimet apo meritat e çmeritat të çfarë apo kujt po sheh. Përpiqu me vetëdije të përmbahesh nga gjykimet e vlerës – përfundimet mund të vijnë më vonë. E rëndësishme është të mos arrish në përfundime të qarta por të përthithësh specifikat e një situate të caktuar – me fjalë të tjera, materialin tënd – sa më shumë të mundesh.

    Disa individë vendosin çfarë apo kush ka të drejtë apo e ka gabim bazuar në një analizë të shpejtë të njerëzve dhe ngjarjeve. Përgjithësisht, ama (dhe ky është tërësisht mendimi im), nuk janë romancierë të mirë. Në vend të kësaj, janë më të përshtatshëm për t’u bërë kritikë apo gazetarë. Apo ndoshta akademikë të ndonjë lloji. Nga ana tjetër, dikush i prerë për t’u bërë romancier, do të ndalojë që të vërë në dyshim përfundimin ku ka arritur, apo do të arrijë. “Vërtetë ashtu duket”, do të thotë, “por prit pak. Ky mund të jetë vetëm paramendimi im. Ndoshta duhet ta marr parasysh më me kujdes. Në fund të fundit, gjërat nuk janë kurrë siç duken. Nëse në vazhdim del diçka e re, mund të jetë histori krejt tjetër.”

    Ky lloj njeriu duket të jem unë. Sigurisht, në radhë të parë truri im nuk mendon aq mprehtë, kështu që kur them një mendim të shpejtë mbi diçka shpesh del të jetë gabim (ose i mangët, ose tërësisht jashtë shenje), një dështim që më ka çuar në eksperienca të dhimbshme të pafundme. Vazhdimisht, jam turpëruar, apo më kanë vënë në siklet, apo më kanë bërë për budalla. Si përfundim, pak e nga pak, kam zhvilluar zakonin për ta vënë në dyshim përgjigjen time të menjëhershme ndaj gjërave. Ky model sjelljeje nuk është i natyrshëm për mua; në fakt, është i mësuar, rezultati i një liste të gjatë vendimesh katastrofike.

    Prandaj nuk dal në përfundime kur ndodh diçka. Mendja ime nuk punon më ashtu. Në vend të kësaj, përpiqem të mbaj një imazh sa më të plotë të mundem të skenës që kam vëzhguar, të personit që kam takuar, eksperiencën që kam kaluar, duke e parë si një “mostër” të vetme, një lloj testi, si të thuash. Mund t’i kthehem e ta shoh më vonë, kur ndjenjat e mia janë qetësuar dhe ka më pak urgjencë, këtë herë duke e inspektuar nga disa kënde. Në fund, nëse dhe kur është e nevojshme, nxjerr përfundimet  e mia.

    Sidoqoftë, bazuar në eksperiencat e mia, kam zbuluar se rastet kur duhen nxjerrë përfundime janë shumë më të pakta nga sa marrim me mend. Në fakt, herët kur gjykimet janë vërtetë të nevojshme – në afat të gjatë apo të shkurtër – janë shumë më të pakta e më të rralla. Kështu ndihem unë, të paktën. Kjo do të thotë se kur lexoj gazetën apo shoh lajmet në televizor, e kam të vështirë të kapërdij nxitimin e gazetarit për të dhënë mendimin e tij mbi çdo gjë dhe gjithçka. “Hë pra tani,” më vjen të them, “ç’është gjithë ky nxitim?”

    Në botën e sotme ka një pritshmëri të përgjithshme se zgjedhjet duhen shtruar në terma bardhezi sa më shpejt të jetë e mundur. Sigurisht, disa pyetje duan përgjigje menjëherë. Për të marrë disa shembuj ekstremë, “A duhet të shkojmë në luftë?” dhe “A duhet të ndezim reaktorët bërthamorë nesër?”, na kërkojnë të marrim pozicione të qarta dhe të shpejta. Nëse nuk e bëjmë, do të jetë ferri mbi tokë. Por raste të tilla, të cilat na kërkojnë të arrijmë në një vendim të prerë, nuk janë aspak të shpeshta. Kur kalon më pak kohë mes mbledhjes së informacionit dhe veprimit mbi të, që çdokush të bëhet kritik apo komentues lajmesh, atëherë bota bëhet një vend më i paduruar, më pak reflektues. Dhe ndoshta shumë më i rrezikshëm. Pyetësorët mbi mendimet të lejojnë të shënosh kutinë “I pavendosur”. Epo, unë mendoj se duhet të ketë një tjetër kuti që mund shënosh: “I pavendosur në këtë moment”.

    Mjaft me botën e sotme – le të kthehemi te romancierët aspirantë. Siç kam thënë, sfida nuk është të formosh gjykime të vlerës, por në vend të kësaj, të mbledhësh sa më shumë material të mundësh në formë origjinale. Të krijosh një hapësirë të brendshme ku mund të ruhet e gjitha. Sigurisht, thënë realisht, është e pamundur të mbash çdo gjë. Ka një kufi se sa mban kujtesa jonë. Kështu, na duhet një lloj sistemi procesimi minimal informacionesh për të pakësuar sasinë.

    Në shumicën e rasteve, përpiqem të rregulloj disa detaje të dukshme nga ngjarja (apo personi, apo skena) në kokën time. Me qenë se është e vështirë të mbash mend (apo, nëse je përpjekur të kujtosh, harron shpejt) imazhin e tërë, është më mirë të nxjerrësh trajta specifike në një formë që mund të ruhet lehtë. këtë dua të them me sistem minimal.

    Çfarë lloji trajtash? Kanë prirje të jenë ato detaje goditëse që të bëjnë të qëndrosh drejt, që e rregullojnë vetë veten në mendjen tënde. Idealisht, ato gjëra nuk mund të shpjegohen tutje. Është më mirë nëse janë jo-logjike, ose ecin kundër rrjedhës në një mënyrë delikate, apo të tundojnë t’i vësh në dyshim, apo sugjerojnë ndonjë lloj misteri. I mbledh këto copëza, u vendos një etiketë (vendi, koha, situata) dhe mendërisht i vë në dosje në komodinën tënde personalë. Është e mundur, sigurisht, t’i shkruash në ndonjë bllok shënimesh a diçka, por unë parapëlqej t’i besoj mendjes sime. Është bezdi të mbash një bllok me vete, dhe kam zbuluar se pasi e shkruaj diçka, qetësohem dhe e harroj. Nga ana tjetër, nëse i fus në mendje këto copëza, ajo që duhet të mbahet mend, qëndron, dhe pjesa tjetër zbehet deri në harresë. Më pëlqen t’ia lë gjërat këtij procesi natyror të përzgjedhjes.

    Kjo më kujton një anekdotë që e kam përzemër. Kur Paul Valéry po intervistonte Albert Einstein-in, e pyeti shkencëtarin e madh, “A mbani një bllok me vete për të shënuar idetë tuaja?”. Einstein-i ishte një burrë gjakftohtë, por kjo pyetje u duk se e bezdisi. “Jo,” u përgjigj. “Nuk është nevoja. Zor se kam ide të reja.”

    Kur e mendoj, ka pasur fare pak situata kur kam dëshiruar të kisha një bllok me vete. Diçka vërtetë e rëndësishme nuk harrohet aq lehtë pasi ia ke besuar kujtesës tënde.

    *

    Komodina jote personale mendore është një pasuri e madhe kur fillon punën me një roman. Argumente dhe gjykime vlerash të rregulluara me kujdes nuk janë të dobishme për ne që shkruajmë trillime. Më shpesh, na pengojnë duke bllokuar rrjedhën natyrale të historisë. Nëse e ke mbushur komodinën tënde me një varietet të pasur detajesh pa lidhje me njëra-tjetrën, prapëseprapë, do të habitesh kur të shohësh se sa në mënyrë të natyrshme dalin kur ia ke nevojën, plot jetë dhe gati për t’u përshtatur në rrëfim.

    Pra për çfarë detajesh e kam fjalën?

    Më lër ta mendoj. Në rregull, le të themi se ke njohur dikë i cili pa ndonjë arsye të dukshme fillon të teshtijë kur bëhet shumë me nerva. Kur fillojnë teshtimat, vazhdojnë pafundësisht. Tani, unë nuk njoh ndonjë të tillë, por për hir të argumentit le të themi se ti e njeh. Çfarë, pyet ti veten, e shpjegon këtë model? Një qasje do të ishte të zbuloje një teori eksperimentale – fiziologjike, ndoshta, ose psikologjike – për të analizuar sjelljen e tij. Truri im, sidoqoftë, nuk punon ashtu. Unë mendoj, “Uau, njerëz të tillë ekzistojnë vërtetë,” dhe e lë me kaq. Në vend se të dal në përfundime, e marr si një shembull të varietetit të gjërave në botë, duke e etiketuar si një gungë të padiferencuar. Sirtarët në komodinën time mendore janë plot me kujtime të palidhura të këtij lloji që i kam mbledhur dhe ruajtur.

    James Joyce e përmblodhi saktë kur tha, “Imagjinata është kujtesa”. Prirem të bie dakord me të. Në fakt, mendoj se ka i rënë në të. Ajo që ne quajmë imagjinatë, konsiston në fragmente kujtesash që u mungojnë lidhje të qarta me njëra-tjetrën. Kjo mund të duket si kontradiktë termash por kur ne bëjmë bashkë fragmente të tilla, intuita jonë shndrin, dhe ndjejmë se çfarë mund të mbajë e ardhmja. Prej ndërveprimit të tyre buron fuqia e vërtetë e romanit.

    Ne jemi – ose të paktën, unë – të armatosur me këtë komodinë të gjerë mendore. Secili sirtar i mbushur me kujtime, apo informacione. Ka sirtarë të vegjël e të mëdhenj. Unë kam disa ndarje sekrete, ku mund të fsheh informacione. Kur shkruaj, mund t’i hap, të marr materialin e nevojshëm, dhe t’ia shtoj rrëfimit tim. Numrat e tyre janë të pafundmë, por kur jam fokusuar në shkrimin tim, e di pa menduar pikërisht se çfarë mban secili sirtar dhe menjëherë mund të zgjas dorën për ta marrë atë që po kërkoj. Kujtime që nuk do t’i mbaja mend ndryshe më vijnë në mënyrë të natyrshme. Është një ndjesi e madhe të futesh në këtë gjendje elastike, të papërmbajtshme, sikur imagjinata ime të ishte liruar nga mendja ime për të funksionuar si një entitet autonom i pavarur. Sigurisht, për një shkrimtar si unë, informacioni i ruajtur në komodinën time është një burim i pasur dhe i pazëvendësueshëm.

    Në filmin Kafka të Steven Soderbergh-ut, Jeremy Irons, në rolin kryesor, futet në një kështjellë drithëruese (bazuar, sigurisht, te Kështjella) përmes një kabineti të mbushur me rreshta sirtarësh. Kur e pashë këtë skenë, më bëri përshtypje se dukej si një përfaqësim hapësinor i trurit tim. Është një film vërtet interesant, kështu që shihe këtë skenë nëse të bie rasti. Truri im nuk është aq drithërues, por struktura mund të jetë e ngjashme.

    *

    Megjithëse kompozoj ese si edhe trillime, nëse nuk ma kërkojnë rrethanat, e shmang punën me çdo gjë tjetër kur shkruaj roman. Kjo sepse kur po shkruaj një seri esesh dhe zhytem në një nga sirtarët e kujtesës sime, mund të nxjerr një material që mund të më duhet më vonë. Do të thotë se mund të hap një sirtar për të gjetur diçka për romanin tim vetëm për të zbuluar se është shfaqur diku tjetër. Nëse dua të përfshij historinë e dikujt që fillon të teshtijë kur bëhet me nerva, për shembull, por e kam botuar tashmë në një gazetë javore, mund të jetë shumë zhgënjyese. Sigurisht, nuk ka asnjë rregull që thotë se i njëjti material nuk mund të përdoret edhe për ese edhe për një rrëfim, por unë kam zbuluar se kjo ma dobëson disi trillimin. Këshilla ime, pra, është të varësh një tabelë në komodinën tënde që thotë “Vetëm për trillime” kur je në procesin e të shkruarit. Nuk i dihet kurrë se çfarë do të të nevojitet më vonë, kështu që ia vlen të jesh koprrac. Kjo është një copë mençurie që kam fituar gjatë karrierës sime.

    Kur del nga procesi i të shkruarit të romanit, mund të zhytesh në sirtarët e pahapur, të marrësh materialin e papërdorur (që mund të quhet si “të mira shtesë”) të ruajtur aty, dhe ta përdorësh për esetë e tua. Në rastin tim, ama, esetë nuk janë asgjë më shumë se punë dytësore, si kanaçet e çajit oolong të marketuara nga kompanitë e birrës. Nëse diçka është shumë e shijshme, e ruaj për punën time kryesore – romanin tim të radhës. Pasi është mbledhur një masë kritike me materiale të tilla, dëshira ime për të nxjerrë një libër të ri vjen natyrshëm. Prandaj e ruaj me kaq kujdes komodinën time.

    E mban mend skenën te filmi E.T. i Steven Spielberg-ut, ku E.T. monton një pajisje transmetuese nga kotësitë që nxjerr prej garazhit? Ka një çadër, një abazhur, tenxhere e tiganë, një gramafon – ka kaluar shumë kohë që kur e kam parë filmin kështu që nuk i mbaj mend të gjitha, por ai arrin të mbledhë gjithë këta artikuj shtëpiakë në një mënyrë që konstruksioni të punojë mjaftueshëm mirë për të komunikuar me planetin nga ka ardhur mijëra dritë larg. Më pëlqeu shumë kjo skena kur e pashë në kinema, por tani më ra në të se të bësh një roman të mirë është pakashumë e njëjta gjë. Komponenti kyç nuk është cilësia e materialeve – ajo që duhet është magjia. Nëse kjo magji është e pranishme, çështjet ditore bazë dhe gjuha më e thjeshtë mund të kthehet në një mjet sofistikimi të habitshëm.

    *

    Herën e parë që u ula për të shkruar një roman, nuk më vinte asgjë në mendje – isha tërësisht i trullosur. Nuk kisha kaluar një luftë si prindërit e mi, apo të kisha përjetuar kaosin dhe urinë e pasluftës si brezi para meje. Nuk kisha përjetuar revolucion, as nuk kisha kaluar ndonjë lloj abuzimi brutal apo diskriminim me sa mbaja mend. Në vend të kësaj, isha rritur në një shtëpi tipike të klasës së mesme në një komunitet paqësor periferik, ku nuk kisha vuajtur prej ndonjë nevoje të veçantë, dhe megjithëse jeta ime nuk ishte aspak e përsosur, as nuk ishte e zhytur në fatkeqësi (në terma të ngjashëm, isha me fat). Me fjalë të tjera, kisha kaluar një rini mondane e të papërshkrueshme. Notat e mia nuk ishin më të lartat, por nuk ishin as më të ulëtat. Shkurtimisht, nuk kishte asgjë për të cilën ndihesha i nxitur ta shkruaja. Zotëroja një farë dëshire për të shprehur veten, por nuk kisha një temë të brendshme gati. Si përfundim, deri sa mbusha njëzetenëntë vjeç nuk e kisha marrë kurrë parasysh të shkruaja një roman timin. Më mungonte materiali, mendoja, si edhe talenti për të krijuar diçka me të. Isha dikush i cili mund vetëm t’i lexonte romanet. Dhe i lexova, pirgje të tëra, pa marr me mend ndonjë moment se mund ta shkruaja dhe unë një të tillë.

    Besoj se brezi i ri sot përballet me rrethana të ngjashme. Në fakt, mund të kenë edhe më pak probleme të cilat përgjërojnë të shkruhen se sa kishim ne. Çfarë, pra, të bësh në rrethana të tilla?

    Siç e shoh unë, “Metoda E.T.” është mundësia e tyre e vetme. Mjeti i tyre i vetëm është të shqyejnë dyert e garazhit, të nxjerrin gjithë ç’kanë ruajtur deri në atë pikë – edhe nëse duket thjesht një pirg kotësish – dhe të robtohen deri sa ta marrë në dorë magjia. Asnjë qasje tjetër nuk do të ta ndihmojë të lidhemi me planetë të largët. Mund vetëm të përpiqemi të bëjmë më të mirën me çfarë kemi në dorë. Nëse bën më të mirën tënde, ama, suksesi mund të jetë i yti. Mund të kuptosh ndjesinë e lavdishme të praktikimit të magjisë. Pasi të shkruash një roman është në fund të fundit të farkëtosh një lidhje me njerëz në planetë të tjerë. Me të vërtetë!

    *

    Kur fillova romanin tim të parë, Hear the Wind Sing, e dija se nuk kisha zgjedhje tjetër veçse të shkruaja për të mos pasurit diçkaje për të shkruar. Dhe do të më duhej ta ktheja disi të mos pasurit diçkaje për të shkruar në një armë nëse do të doja të ecja para si romancier. Në të kundërt do të isha i pafuqishëm përpara brezit të shkrimtarëve që më kishte paraprirë. Ky, mendoj, është një shembull i çfarë do të thotë të shkruash me ato që ke në dorë.

    Përshtatja e kësaj qasjeje kërkon një gjuhë dhe stil të ri. Duhet të modelosh një mjet të cilin nuk e ka ngarë kush më parë. Meqenëse nuk do – apo nuk mundesh – të përballosh tema të rënda si lufta, revolucioni, dhe uria, duhet të merresh me materiale më të lehta, të cilat në këmbim të shtyjnë të përdorësh një mjet më të lehtë që është i zhdërvjellët dhe i lëvizshëm.

    Pas shumë provash – do t’i ruaj detajet e këtij procesi për një rast tjetër – arrita të arnoj një stil japonez të përshtatshëm për ta përdorur në veprën time. Nuk ishte aspak i përsosur, me vrima të shpërndara aty këtu, por kuptova se ishte romani im i parë, dhe duhet ta pranoja siç ishte. Mund t’i rregulloja gabimet herën tjetër – nëse do të kishte një herë tjetër.

    Dy parime më udhëhoqën. I pari ishte të lija jashtë gjithë shpjegimet. Në vend të kësaj, do të hidhja një varietet fragmentesh – episode, imazhe, skena, fraza, në atë enë të quajtur roman dhe pastaj të përpiqesha t’i bëja bashkë në një mënyrë tredimensionale. I dyti, do të përpiqesha t’i bëja këto lidhje në një hapësirë të veçuar tërësisht nga logjika e zakonshme dhe klishetë letrare. Kjo ishte skema ime bazë.

    Më shumë se çdo gjë, muzika më ka ndihmuar ta çoj përpara këtë proces. Shkrova si të isha duke performuar një pjesë muzikore. Xhazi ishte frymëzimi im kryesor. Siç e di, aspekti më i rëndësishëm i një performance xhazi është ritmi. Duhet të mbash një ritëm të fortë nga fillimi në fund – kur dështon, njerëzit ndalojnë së të dëgjuari. Elementi tjetër më i rëndësishëm janë akordet, ose harmonia, nëse të pëlqen kështu. Akorde të bukura, akorde të mbytura, akorde dytësore, akorde pa tonikë. Akordet e Bud Powell, akordet e Thelenious Monk, akordet e Bill Evans, akordet e Herbie Hancock. Ka kaq shumë lloje. Megjithëse të gjithë përdorin një piano me të njëjtat tetëdhjetetetë taste, tingulli varion jashtëzakonisht shumë nga personi që i luan. Kjo do të thotë diçka të rëndësishme edhe për shkrimin e një romani. Mundësitë janë të pakufishme – ose thuajse të pakufishme – edhe nëse përdorim të njëjtin material. Fakti se një piano ka vetëm tetëdhjetetetë taste zor se do të thotë se nuk mund të bësh asgjë të re me të.

    Në fund, është çështja e improvizimit të lirë, i cili shtrihet në rrënjën e muzikës xhaz. Pasi ritmi dhe progresioni i akordeve (apo struktura harmonike) janë themeluar, muzikanti është i lirë t’i thuri lirshëm notat në kompozicion.

    Unë nuk mund të luaj asnjë instrument muzikor. Ose të paktën nuk mund të luaj mirë mjaftueshëm që njerëzit të më dëgjojnë. Sidoqoftë, kam dëshirën e fortë për të performuar muzikë. Që në fillim, pra, qëllimi im ishte të shkruaja si të isha duke luajtur një instrument. Ende ndihem ashtu sot. Ulem në duke shtypur tastierën duke kërkuar ritmin e duhur, akordet dhe tonet më të përshtatshëm. Ky është, dhe ka qenë gjithmonë, elementi më i rëndësishëm në letërsinë time.

    *

    Sipas mendimit tim (dhe kjo është e bazuar në eksperiencën time), të kesh mos kesh diçka për të cilën ndihesh i nxitur të shkruash mund ta bëjë më të vështirë për të filluar, por pasi nis motori dhe fillon të lëvizë mjeti, shkrimi bëhet më i lehtë. Kjo sepse ana tjetër e të mos pasurit asgjë për të shkruar është se je i lirë të shkruash për çdo gjë. Materiali yt mund të jetë peshëlehtë, por nëse arrin të kuptosh se si të bashkosh copëzat që të rezultojë në magji, mund të shkruash sa romane të duash. Do të habitesh se si mjeshtërimi i kësaj teknike mund të çojë në krijimin e veprave edhe me peshë edhe me thellësi – kjo për sa kohë që ke një ambicie të shëndetshme prej shkrimtari.

    Në kundërt, shkrimtarët të cilët në fillim shkruajnë për tema të rënda rrjedhimisht mund të – megjithëse, sigurisht nuk ndodh në të gjithë rastet – e gjejnë veten të lëkundur nën peshën e atij materiali. Shkrimtarë të cilët e nisin karrierën e tyre duke shkruar për luftë, për shembull, mund t’i qasen temës së tyre nga kënde të ndryshme në punë të ndryshme, por në një pikë të caktuar, mund ta gjejnë veten me shpatulla pas muri kur detyrohen të mendojnë se çfarë të shkruajnë tjetër. Disa arrijnë të vazhdojnë të rriten si romancierë duke ndërruar kah në mes të karrierës. Ata të cilët nuk arrijnë ta përmbushin këtë ndërrim të drejtimin, fatkeqësisht mund ta shohin forcën e tyre të zbehet me kalimin e kohës.

    Ernest Hemingway, pa dyshim një prej shkrimtarëve më ndikues të shekullit të njëzet, konsiderohet gjerësisht sikur ka krijuar veprën e tij më të madhe në fillim të karrierës së tij. Më pëlqejnë veçanërisht dy romanet e tij të parë, The Sun Also Rises dhe A Farewell to Arms, si dhe rrëfimet e hershme me Nick Adams. Të gjitha këto janë shkruar me gjallëri frymëmarrëse. Por veprat e tij të mëvonshme, megjithëse brilante, nuk e arrijnë potencialin e tyre dhe u mungon freskia stilistike e shkrimeve të tij të hershme. Sipas mendimit tim, kjo rënie me shumë gjasa është nga fakti se Hemingway ishte ai lloj shkrimtari që e merrte forcën nga materiali i tij. Kjo të ndihmon të shpjegosh stilin e tij të jetës, duke shkuar nga njëra luftë në tjetrën (Lufta e Parë Botërore, Lufta Civile Spanjolle, Lufta e Dytë Botërore), gjueti kafshësh të mëdha në Afrikë, peshkim peshqish të mëdhenj, rënia në dashuri me luftimin e demave. I duhej ky stimul i jashtëm për të shkruar. Rezultati ishte një jetë legjendare; por mosha rrjedhimisht ia mori energjinë që më parë ia kishin dhënë eksperiencat e tij. Kjo është tërësisht hamendje, por them se të ndihmon të kuptosh pse Hemingway, pasi fitoi Çmimin Nobel në Letërsi në 1954, u zhyt në alkoolizëm dhe më pas vrau veten, në kulmin e famës së tij.

    *

    Shkrimtarët të cilët nuk mbështeten në materiale me peshë, por në vend të tyre shohin brenda vetes për të thurur përrallat e tyre, në të kundërt, mund ta kenë më të lehtë. Kjo sepse mund të shkruajnë nga jeta e tyre e përditshme – ngjarjet rutinë rreth tyre, skenat që dëshmojnë, njerëzit që takojnë – dhe më pas lirshmërisht aplikojnë imagjinatën e tyre te ai material për të ndërtuar trillimin e tyre. Nuk kanë nevojë të luftojnë në fushëbetejë apo në lojë demash, apo të gjuajnë luanë.

    Të lutem mos e keqkupto – nuk po them se ndërhyrja personale e drejtpërdrejtë në gjëra si lufta, lojë demash, dhe gjueti kafshësh të mëdha nuk ka asnjë kuptim. Sigurisht që mund të jetë me kuptim. Eksperiencat janë thelbësore për një shkrimtar, të çfarëdo lloji. Gjithë ç’po them është se nuk u duhet të jenë të llojit dramatik për të shkruar një roman të mirë. Edhe takimi më i vogël, më jo-dramatik mund të gjenerojë një forcë krijuese të jashtëzakonshme, nëse e bën siç duhet.

    Ka një shprehje në japonisht, “Kur të zhyten pemët dhe të pluskojnë shkëmbinjtë”. I referohet ndodhive kundër rrjedhës; por në botën e romanit – ose ndoshta, më gjerë, në realmin e artit – këto gjëra ndodhin gjithë kohën. Gjëra të cilat botës i duken të parëndësishme mund të marrin peshë me kalimin e kohës, ndërkohë që gjëra të tjera që konsiderohen gjerësisht si me peshë, papritur, mund të shfaqen si lëvozhga të holla. Procesi i pambarimtë krijues nuk mund të shihet me sy të lirë, por fuqia e tij, ndihmuar nga kalimi i kohës, sjell rregullisht kthesa të tilla drastike.

    Kështu që nëse dëshpërohesh se të mungon materiali për të shkruar, po dorëzohesh shumë lehtë. Nëse thjesht e ndryshon pak fokusin dhe ndryshon pak mënyrën e të menduarit, do të zbulosh një pasuri materialesh që presin t’i marrësh e t’i përdorësh. Duhet vetëm të shohësh. Në fushën e përpjekjeve njerëzore, gjërat që duken mondane në pamje të parë munden, nëse këmbëngul, t’i japin jetë një grupi të pafundmë njohurish. E vetmja gjë që duhet të bësh, siç thashë më parë, është të ruash një ambicie të shëndetshme prej shkrimtari. Ky është kyçi.

    Gjithmonë kam menduar se asnjë brez nuk është superior apo inferior ndaj tjetrit. Megjithëse janë të zakonshëm stereotipet për grupmoshat që janë më të mira apo më të këqija, jam i bindur se kritika të tilla nuk pinë ujë. Brezat nuk duhen renditur në atë mënyrë. Sigurisht, gjithsecili ka prirjet e veta. Por nuk ka ndryshime në sasitë apo cilësitë e talentit. Të paktën jo aq shumë sa të ketë rëndësi.

    Një shembull konktret, rinia e sotme japoneze shpesh kritikohet se janë më të këqinj në leximin dhe shkrimin e kanji se të moshuarit e tyre. (Nuk ia kam idenë nëse është e vërtetë apo jo). Në të njëjtën kohë, sidoqoftë, ka pak dyshime se ata janë shumë më të mirë në kuptimin dhe procesimin e gjuhës së kompjuterëve. Këtu dua të dal. Çdo brez ka mangësitë e veta si dhe fushat e veta të ekspertizës. Kaq e thjeshtë. Çdo brez duhet të theksojë pikat e forta përkatëse në aktivitetet e tij krijuese. Shkrimtarët duhet të përdorin gjuhën e tyre s armë, duke zgjedhur fjalë që i vijnë natyrshëm për të përshkruar atë që shohin sa më qartë që të munden. Nuk është nevoja që të frikësohen nga të moshuarit e tyre; dhe në anën tjetër të medaljes, nuk kanë asnjë justifikim për t’u ndierë superiorë.

    Më kanë kritikuar shumë kur fillova karrierën time. “Ky s’mund të quhet roman,” turfullonin kritikët e vjetër. “Kjo s’është letërsi!” Sulmet e vazhdueshme po më dëshpëronin, kështu që u largova nga Japonia për disa vite dhe shkova të jetoja jashtë, ku mund të shkruaja çfarë të doja në paqe, i lirë nga statiku i vazhdueshëm. Kurrë, ama, nuk kam pasur dyshime serioze për qasjen time ose të ndihem më ankth për atë që po bëja. “Nuk mund të shkruaj ndryshe, kështu që merre ose lëre,” ishte përgjigja ime ndaj kritikëve. Shkrimi im ende nuk është i përsosur, por edhe atëherë isha i sigurt se nëse do të vazhdoja, do të bëja diçka edhe më të mirë. Isha i bindur se po ndiqja rrugën e duhur dhe se vlera e veprës sime do të bëhej e dukshme me kalimin e kohës. Kisha vërtet shumë durim!

    Tani, kur shoh rrotull vetes, nuk jam i sigurt nëse ia kam dalë apo jo. Si mund ta dalloj? Dyshoj se vlera letrare mund të matet plotësisht, sado kohë të kalojë. Sidoqoftë, besimi im se jam drejtuar në rrugën e duhur ka qëndruar palëkundur që në 1979, kur botova romanin tim të parë. Në tre apo katër dekada të tjera, rrethanat do të kenë ndryshuar sërish dhe situata do të jetë më e qartë, por duke pasur parasysh moshën time, mund të mos jem aty për ta parë. Shpresoj që dikush nga ju mund ta shohë për mua.

    Përfundimisht, mendoj se çdo brez i ri ka sasinë e tij të caktuar të materialit që mund ta përdorë për të shkruar romane, dhe se forma dhe pesha relative e atij materiali në mënyrë retroaktive do të përcaktojnë formën dhe funksionin e mjetit që duhet dizajnuar për ta mbajtur. Prej lidhjes reciproke të materialit dhe mjetit – prej ndërveprimit të tyre – shfaqen forma të reja realiteti romanistik.

    Çdo epokë, çdo brez, përjeton “realitetin” e tij. Puna e romancierit për të grumbulluar dhe koleksionuar me mundim çdo material është po aq thelbësore sa gjithmonë, dhe kështu do të mbetet edhe në të ardhmen.

    Kështu që nëse qëllimi yt është të shkruash trillime, shih nga afër gjërat rrotull teje. Bota mund të duket si vend mondan, por në fakt është e mbushur me një varietet minierash enigmatikë dhe misteriozë. Romancierët janë njerëzit të cilët kanë zotësinë ta gjejnë dhe rafinojnë atë lëndë të parë. Edhe më bukur: procesi nuk të kushton thuajse asgjë. Nëse je bekuar me sy të mirë, edhe ti mund të gërmosh në minierë dhe të zgjedhësh ç’të të dojë zemra!

    Përktheu Enxhi Hudhri

    Marrë libri i ri i Murakamit, “Novelist as a Vocation”

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark