×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Haxhi Shala nuk deklarohet për akuzat para Gjykatës Speciale

    Insajderi
    13 December 2023 - 14:54
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Haxhi Shala, të mërkurën ka bërë paraqitjen e tij të parë para Gjykatës Speciale në Hagë, ku nuk është deklaruar rreth fajësisë apo pafajësisë së tij ndaj tri akuzave.

    Prokuroria e Specializuar në Hagë e ngarkon Shalën me tri akuza: tentativë për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes kërcënimit të rëndë, tentim për pengim e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi dhe për frikësim gjatë procedurës penale.

    “Nuk mund të deklarohem sot, e lë për seancën tjetër”, ka thënë Shala në seancën e mbajtur pasditen e 13 dhjetorit.

    Sipas gjykatës, aktakuza kundër Haxhi Shalës u konfirmua më 4 dhjetor 2023 nga gjykatësi i procedurës paraprake.

    Shala e ka konfirmuar se e ka pranuar aktakuzën në gjuhën që ai e kupton.

    Ai u arrestua më 11 dhjetor, dhe një ditë më vonë u transferua në qendrën e paraburgimit në Hagë.

    Shalës i është caktuar një avokat mbrojtës kujdestar, deri në emërimin e një mbrojtësi përfundimtar.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark