Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka folur për projektligjin e proceduar nga PDK-ja lidhur me Gjykatën Speciale, duke thënë se nuk do të mbështesë iniciativa që, sipas saj, kanë për qëllim vetëm të krijojnë përshtypjen se po ndërmerret diçka.
Në konferencën për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Haxhiu tha se nuk dëshiron ta paragjykojë nismën e PDK-së, por kërkoi që propozimet të kenë peshë dhe qëllim konkret.
“Refuzoj të mbështes çfarëdo iniciative që ka për qëllim veç me u duk që po bëjmë diçka. Nuk po du me paragjyku nismën e PDK-së”, deklaroi Haxhiu.
Ajo tha se pas vendimit të shkallës së parë në Hagë, institucionet duhet të tregojnë kujdes në veprimet e tyre.
“Në këtë fazë, pas vendimit të padrejtë të shkallës së parë, secili nga ne duhet të jemi të kujdesshëm”, tha Haxhiu.
Haxhiu u bëri thirrje grupeve parlamentare që të mos propozojnë iniciativa vetëm për të krijuar përshtypjen se po ndërmarrin veprime.
“I ftoj grupet që të mos bëjnë propozime vetëm sa për t’u dukur që megjithatë po bëjmë diçka dhe nuk kanë ndonjë peshë”, tha ajo.