×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Haxhiu tentoi t’ia marrë me polici lëndët përmbaruesit Mulhaxha, vëllait të Fatmire Kollçakut

    Insajderi
    07 September 2023 - 12:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Komisioni ad-hoc i formuar nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të mërkurën ka tentuar që të zbatoj vendimin për marrjen e lëndëve përmbaruesit privat Ilir Mulhaxha, tashmë të shkarkuar dhe bartjen e tyre tek përmbaruesit tjerë në territorin e Prishtinës.

    Për zbatimin e këtij vendimi, komisioni i ministrisë ka shkuar bashkë me Policisë e Kosovës. Por, me gjithë këtë transferimi i lëndëve nuk ka ndodhur, kurse Mulhaxha vendimin e ka quajtur të paligjshëm, raporton Betimi për Drejtësi.

    “Këta tash po i shihni edhe forca speciale na kanë ardhë edhe me hetues policor, po insistojnë se kinse na po e pengojmë kryerjen e detyrave zyrtare, ata janë ardhë veç me një qëllim të keq”, ka thënë Mulhaxha.

    Mulhaxha ka shtuar se kanë kundërshtuar ligjshmërinë e këtij aktit administrativ pasi sipas tij s’ka mbështetje ligjore duke paralajmëruar padi të re me masë të përkohshme ndaj këtij vendimi.

    Eros Gashi nga Ministria e Drejtësisë, ka thënë se përmbaruesi i shkarkuar në vazhdimësi ka gjetur arsyetime për zvarritjen e transferimit të lëndëve dhe se prezenca e Policisë ka qenë e domosdoshme që komisioni të ketë qasje në zyrat e tij dhe të sigurohet prezenca e tij.

    Gashi ka thënë se Mulhaxha ka gjete arsyetime se do të udhëtojë jashtë vendit për shkaqe shëndetësore, por se është zotuar para komisionit se më 18 shtator do ta mundësojë transferimin e lëndëve.

    Por, kështu nuk thotë Mulhaxha i cili thotë se do pres drejtësinë të marrë një vendim dhe se tendencat janë për ta shantazhuar dhe frikësuar atë.

    “Unë tash jam në pritje të drejtësisë, sepse këta nuk e dinë as qysh zbatohet ky vendim, këta mas pari s’munden me pas qasje në llogarinë time, s’kanë qysh i transferojnë mjetet e debitorit që janë dëmtu në këtë proces”, ka thënë ai.

    Ai tha se në llogarinë e tij janë grumbulluar 86 mijë euro dhe se Ministria nuk ka rregullore dhe mekanizma për të bërë bartjen e tyre dhe ta zbatojnë vendimin.

    Ndryshe, Ministria e Drejtësisë më 28 shkurt të këtij viti kishte marr vendim për të pushuar nga detyra e përmbaruesit privat Mulhaxhën me arsyetimin se Komisioni Disiplinor për Përmbarues Privat, ka gjetur shkelje disiplinore ndaj tij.

    Mulhaxha është vëllai i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark